• Ankesa

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” çel vitin e ri akademik 2025–2026

Sot, në mjediset e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua ceremonia solemne e hapjes së vitit të ri akademik 2025–2026, në një atmosferë festive dhe plot emocion, ku morën pjesë personalitete të arsimit dhe jetës publike.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, Rektori i Universitetit, z. Tonin Gjuraj, si dhe përfaqësues të trupës akademike dhe studentëve të gjashtë fakulteteve të universitetit.

Në fjalën e tij, Rektori Gjuraj hodhi me guxim një ide për të ardhmen e arsimit të lartë publik në Shqipëri, duke theksuar se është koha për të reflektuar mbi statusin juridik të universiteteve publike dhe mënyrën e funksionimit të tyre. Ai tha se, pa tabu dhe pa konflikte interesi, duhet marrë shembull nga modelet më të përparuara të universiteteve anglo-saksone — institucione që janë ndër më konkurruesit në nivel global. Sipas tij, universitetet shqiptare duhet të mbeten thellësisht publike, por drejtuesit e tyre duhet të kenë instrumentet e nevojshme ligjore për të vepruar me efikasitet, për të konkurruar dhe për t’u matur mbi bazën e rezultateve dhe objektivave konkrete.

Ministrja e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, në fjalën e saj përshëndetëse, vlerësoi kontributin e Universitetit të Shkodrës në formimin e brezave të rinj dhe theksoi se trinomi “Ministri – Universitet – Bashki” është çelësi i suksesit për realizimin e objektivave të përbashkëta në arsim dhe zhvillim lokal.

Në një moment simbolik, ajo i dhuroi tufën e saj të luleve pedagogut më me përvojë të universitetit, z. Fatmir Vodohej, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të gjatë akademik.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, u ndal te bashkëpunimi i qëndrueshëm me Universitetin e Shkodrës, duke theksuar se Bashkia do të vijojë të jetë një partner aktiv në projekte që përmirësojnë jetën e studentëve dhe lidhjen e universitetit me qytetin. Ai nënvizoi se ndër prioritetet kryesore janë zbatimi i kartës studentore, funksionalizimi i mensës universitare dhe rijetëzimi i hapësirave të jashtme përreth fakulteteve, që synojnë të krijojnë një mjedis më mikpritës dhe dinamik për studentët.

Ceremonia u mbyll me urime të përzemërta për studentët e rinj që nisin rrugëtimin e tyre akademik në një universitet që ndërthur traditën me vizionin e zhvillimit modern.