• Ankesa

UNISHK vijon takimet informuese me maturantët në veri të vendit

Një grup përfaqësuesish të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i përbërë nga Rektori Gjuraj, pedagogia e FSHN, Siditë Duraj dhe pedagogia e FSHSH, Rezarta Murati , po zhvillon një tur informues me maturantët në disa nga qytetet e veriut të Shqipërisë.

Para takimit me maturantët, Rektori Gjuraj dha një intervistë në RTSH Kukës, ku ndau me publikun vizionin e UNISHK për arsimin e lartë, drejtimet e studimit që ofron universiteti dhe mbështetjen për studentët në fazat e para të formimit të tyre profesional.

Edhe pedagogia Siditë Duraj theksoi në intervistë rëndësinë që Universiteti i Shkodrës i kushton përputhjes së formimit akademik me tregun e punës, duke inkurajuar të rinjtë të bëjnë zgjedhje të ndërgjegjshme për të ardhmen e tyre.

Pas intervistave, ekipi zhvilloi takime të drejtpërdrejta me maturantët e gjimnazit “Hafzi Nelaj” në Kukës dhe gjimnazit “Skënderbej” në Has. Në këto takime u prezantua oferta akademike e UNISHK, programet e studimit, mundësitë e bursave dhe mbështetja për jetën studentore në Shkodër .

Pedagogia Rezearta Murati ndau me maturantët rëndësinë e edukimit të lartë në fushat shoqërore dhe ndikimin që këto drejtime kanë në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe të zhvilluar.

Takimet me maturantët do të vijojnë nesër në dy gjimnaze të zonës së Tropojës, ku Universiteti i Shkodrës do të jetë sërish pranë të rinjve për t’i orientuar në një zgjedhje të suksesshme akademike.

Zgjidh dijen, zgjidh UNISHK!