• Ankesa

UNISHK vijon takimet informuese me maturantë në veri të vendit

Pas takimeve me maturantët në Kukës dhe Has, sot vijuan takimet në rrethin e Tropojës, ku ekipi i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u ndal në dy prej gjimnazeve kryesore të zonës: “Asim Vokshi” dhe “Ali Ibër Neza”.

Rektori Gjuraj, pedagogia Siditë Duraj nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe pedagogia Rezearta Murati nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore ishin pjesë e këtij ekipi informues , i cili po zhvillon një tur të gjerë nëpër shkollat e mesme të veriut të vendit.

Takimi në shkollën “Asim Vokshi” pati një domethënie të veçantë për Rektorin Gjuraj, i cili më 1 shtator 1989 e nisi pikërisht aty rrugëtimin e tij profesional si mësimdhënës – një moment simbolik që ai e ndau me emocion me maturantët dhe stafin e shkollës.

Takimet me maturantët u zhvilluan në një atmosferë të hapur dhe miqësore, ku u prezantua oferta akademike e UNISHK për vitin e ri universitar, programet e studimit, kriteret e pranimit, mbështetja financiare dhe jeta studentore në Shkodër .

Përfaqësuesit e fakulteteve ndanë me nxënësit informacion të detajuar dhe këshilla të vlefshme për përzgjedhjen e drejtimit më të përshtatshëm, duke i inkurajuar të ndërtojnë një të ardhme të sigurt përmes arsimit cilësor që ofron Universiteti i Shkodrës.

Zgjidh dijen, zgjidh UNISHK!