Para fillimit të mbledhjes së Senatit Akademik, siç është bërë tashmë traditë, rektori Gjuraj mbajti një prononcim për shtyp. Ai ftoi të gjithë pranishmit për të mbajtur 1 minutë heshtje në nderim të profesorit të nderuar Selman Sheme, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë.
Rektori Gjuraj bëri me dije se nga 14 programe studimi, 9 programe të reja kanë kaluar fazën e parë, përfshirë 4 mastera shkencorë dhe 5 riorganizime. Gjithashtu, janë aprovuar 2 projekte nga AKSHI dhe 2 të tjera nga INTERREG South Adriatic.
Për vitin akademik 2025 – 2026, programet e aprovuara janë:
1. Master i Shkencave në 'Marketing Inovativ', ofruar nga Departamenti i Turizmit, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Shkodrës.
2. Master i Shkencave në "Sigurimi i cilësisë së ushqimit dhe të ushqyerjes", ofruar nga Departamenti i Biologji-Kimisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës.
3. Master Profesional në "GIS dhe planifikim territori", ofruar nga Departamenti i Gjeografisë, Fakulteti i Shkencave Shoqërore.
Programet që kanë kaluar fazën e parë të riorganizimit përfshijnë:
1. Bachelor në "Trashëgimi Kulturore" (riorganizim), ofruar nga Departamenti i Historisë, Fakulteti i Shkencave Shoqërore në bashkëpunim me Universitetin e Salentos, Itali është një risi për UNISHK, pasi leksionet do të zhvillohen si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhën italiane.
2. Master i Shkencave në Mësuesi Gjuhë e huaj, Gjuhë Italiane (riorganizim), ofruar nga Departamenti i Romanistikës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.
3. Master i Shkencave në Mësuesi Gjuhë e huaj, Gjuhë Frënge (riorganizim), ofruar nga Departamenti i Romanistikës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.
4. Master i Shkencave në Mësuesi Gjuhë e huaj, Gjuhë Gjermane (riorganizim), ofruar nga Departamenti i Gjermanistikës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.
5. Master i Shkencave në Mësuesi Gjuhë e huaj, Gjuhë Angleze (riorganizim), ofruar nga Departamenti i Gjuhës Angleze, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.
6. Master i Shkencave në "Infermieri Klinike" në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ka kaluar në fazën e dytë të procesit
7. Master i Shkencave në 'Marketing Inovativ' ofruar nga Departamenti i Turizmit, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Shkodrës.
Një arritje tjetër e rëndësishme për FSHN është ngritja e Laboratorit Dozimetrik Personal për monitorimin e ekspozimit ndaj rrezatimit jonizues për stafet mjekësore të rajonit të veriut.
Rektori Gjuraj gjithashtu theksoi rëndësinë e turit që do të organizohet gjatë muajit prill në veri dhe verilindje të vendit për rekrutimin e gjimnazistëve. Ky tur, i cili do të përshkojë qytete nga Tropoja, Prizreni, Presheva, Tuzi, Ulqini etj., do të zhvillohet pas Panairit Work & Study, me synimin e qartë për të tërhequr sa më shumë studentë të rinj.
Si pikë përfundimtare, rektori vuri theksin mbi aktivizmin politik dhe raportin e universitetit me politikën gjatë fushatës elektorale, duke nënvizuar shmangien e takimeve elektorale gjatë orarit zyrtar 8:00-16:30.