Ndërsa komunitetet lokale bashkohen për të festuar kulturën e gjerë pastorale te “Festa e Çobanit 2025”, e cila u zhvillua më 21 dhe 22 qershor te Kulla e Bajraktarit në Bogë, Malësi e Madhe, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, përmes Fakultetit të Shkencave Shoqërore, prezantoi projektin më të ri:
“Ruajtja dhe Promovimi i Trashëgimisë Etnokulturore të Alpeve Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm”, mbështetur nga *Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).
Vlen të theksohet rëndësia e kësaj nisme transformuese, ku trashëgimia kulturore takohet me inovacionin për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për komunitetet malore.
Rektori Gjuraj theksoi domosdoshmërinë e kërkimit shkencor në terren, pranë komuniteteve, duke theksuar se studimet akademike duhet të kenë impakt real në shoqëri, e jo të mbesin të mbyllura në “bunkerin akademik”.
UNISHK udhëheq një qasje të re zhvillimore, duke bashkëpunuar me komunitetet lokale për të eksploruar mënyra inovative për ruajtjen e traditave, ndërsa nxit rritjen ekonomike dhe turizmin kulturor në zonat alpine.
Me mbështetjen e AKKSHI, ky projekt kërkimor synon të ndërtojë ura mes praktikave tradicionale dhe modeleve moderne, duke fuqizuar komunitetet që të përfitojnë nga trashëgimia e tyre e pasur.