Në kuadër të projektit “Diaspora4Innovation”, në Tiranë u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit “Diaspora4Education” midis GIZ Albania, GERMIN dhe tetë universiteteve shqiptare, përfshirë edhe Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë Rektori i UNISHK, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili theksoi rëndësinë e përfshirjes së diasporës shqiptare në zhvillimin e arsimit të lartë dhe fuqizimin e kapaciteteve akademike të universitetit.
UNISHK, si një nga institucionet pjesëmarrëse, angazhohet në këtë iniciativë për të përfshirë profesionistët e diasporës në:
• përmirësimin e kurrikulave të arsimit të lartë,
• zhvillimin e kurseve mbi inovacionin dhe sipërmarrjen,
• bashkëpunime kërkimore me fokus te projektet e Horizon Europe,
• futjen e metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe ndërveprimit ndërkombëtar.
Mbi 500 studentë dhe nxënës pritet të përfitojnë nga ky bashkëpunim, i cili forcon urën mes ekspertizës shqiptare në diasporë dhe universiteteve në Shqipëri.
Nga UNISHK do të përfshihen lektorë dhe akademikë në partneritet me kolegë të diasporës në fusha si:
• ekonomia digjitale dhe mjedisore
• sistemet e energjisë së erës dhe teknologjitë IoT
• shkenca e të dhënave dhe planifikimi i peizazhit
Marrëveshja është pjesë e programit të BE-së EU4Innovation, që synon të fuqizojë lidhjet midis diasporës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë, me mbështetjen e Delegacionit të BE-së, Ambasadës Gjermane, GIZ dhe GERMIN.
UNISHK konfirmon angazhimin e tij për një arsim cilësor, bashkëkohor dhe të hapur ndaj botës!