• Ankesa

UNISHK - pjesë e Konferencës Ndërkombëtare “Toward an Intelligent Society: Challenges & Opportunities”

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare dhe Ndërdisiplinore të Përvitshme me temë “Toward an Intelligent Society: Challenges & Opportunities”, e organizuar nga Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë. Ceremonia e hapjes dhe ndarja e çmimeve u zhvilluan në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit “Fehmi Agani”.

Konferenca u hap nga Prof. Dr. Drilon Bunjaku, rektor i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, theksoi se arsimi i lartë duhet të shërbejë si urë lidhëse mes inteligjencës njerëzore dhe asaj artificiale, duke formuar individë kritikë, kreativë dhe të përgjegjshëm. Ai nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë që zhvillimi teknologjik të mbetet në shërbim të njeriut dhe jo e kundërta, duke theksuar se universitetet kanë detyrimin të edukojnë breza që përdorin teknologjinë me urtësi, duke ruajtur njëkohësisht vetëdijen historike dhe kulturore.

Konferenca u përshëndetet nga znj. Jola Kepi, Drejtore Ekzekutive e Center for School Leadership (CSL), znj. Jonida Lamaj nga Albanian-American Development Foundation (AADF), Prof. Dr. Lekë Sokoli, nga Instituti Shqiptar i Sociologjisë, Prof. Dr. Robert Çitozi, pedagog i Universitetit të Sporteve në Tiranë, njëkohësisht dhe përfaqësues i Akademisë së Shkencave, Universitetit të Sporteve dhe Universitetit të Arteve, duke sjellë perspektiva të ndryshme mbi sfidat dhe mundësitë e shoqërisë inteligjente.

Qëllimi i kësaj konference ishte të bashkonte studiues, studentë, akademikë dhe profesionistë nga Ballkani, Evropa dhe më gjerë për të prezantuar kërkimet më të fundit dhe për të shkëmbyer ide mbi transformimet e thella që po përjeton shoqëria bashkëkohore në nivelet kulturore, sociale dhe teknologjike.

Konferenca shënoi një pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare me:

  • 230 punime dhe prezantime shkencore
  • 340 autorë, bashkëautorë dhe kontribuues
  • 27 vende të përfaqësuara
  • 1 sesion plenar
  • 35 sesione prezantimesh shkencore

Gjatë aktivitetit u ndanë edhe vlerësime prestigjioze, mes tyre çmimet “Ambasador për Paqen”, “Çmimi për Ekselencë në Kërkim dhe Praktikë”.

Një kontribut të rëndësishëm në këtë konferencë dhanë edhe pjesëmarrës nga Shkodra, të cilët prezantuan punimet e tyre shkencore në një nga sesionet tematike të konferencës.

Pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar dëshmon angazhimin e UNISHK për të qenë pjesë aktive e rrjeteve akademike ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndëruniversitar.