• Ankesa

UNISHK në Ulqin Mundësi të Reja për të Rinj

Vizita e Rektorit të Universitetit të Shkodrës në Ulqin – Takime për bashkëpunim dhe mundësi të reja studimi për të rinjtë.

Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Ulqin, gjatë së cilës realizoi disa takime me rëndësi për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nxitjen e mundësive akademike për të rinjtë shqiptarë të kësaj treve.

Në shkollën e mesme “Vëllazërim-Bashkim”, rektori u prit ngrohtësisht nga drejtoresha e institucionit, znj. Ardita Kovaçi, dhe u takua me maturantë të shumtë, me të cilët ndau vizionin e Universitetit të Shkodrës, si një qendër akademike e hapur dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë shqiptarët në rajon.

Në qendër të diskutimit ishte prezantimi i programeve të ndryshme të studimit që ofron Universiteti i Shkodrës, me theks të veçantë në fushën e Mësuesisë, Shkencave Humane e Sociale dhe veçanërisht programin Bachelor në Trashëgimi Kulturore – një program unik, i dyfishtë, me Universitetin e Salentos, Itali, në universitetin e vetëm publik të veriut dhe verilindjes së Shqipërisë, që synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, historike dhe shpirtërore të rajonit.

Rektori Gjuraj nënvizoi idenë se Shkodra nuk është vetëm një qytet universitar për studentët shqiptarë të Shqipërisë, por edhe për të rinjtë nga Ulqini, Tuzi, Presheva e më gjerë – të cilët e ndjejnë Shkodrën si shtëpinë e tyre. Ai hodhi gjithashtu idenë e promovimit të statusit të studentit ndërkombëtar, në kuadër të një qasjeje më të gjerë dhe përfshirëse ndaj shqiptarëve të diasporës.

Pas takimit me nxënësit, rektori Gjuraj u prit nga Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Genc Nimanbegu. Gjatë këtij takimi u diskutua për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet qyteteve të Shkodrës dhe Ulqinit, si dhe për nisma konkrete në fushën e arsimit të lartë.

Ndër çështjet kryesore të trajtuara ishte propozimi i Kryetarit Nimanbegu për hapjen e një dege të Universitetit të Shkodrës në Ulqin – një ide që u mirëprit me entuziazëm nga rektori Gjuraj, i cili u shpreh:

“Duke kombinuar përmasën tonë institucionale me asistencën tuaj, mund ta arrijmë këtë synim me një lobim të fuqishëm e vullnet të mirë.”

Vizita në Ulqin rikonfirmon angazhimin e Universitetit të Shkodrës për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi, për të zgjeruar hapësirat e dijes dhe për të qenë pranë çdo të riu që synon të arsimohet në gjuhën dhe kulturën shqiptare. Rektori u bëri thirrje maturantëve të Ulqinit të kenë UNISHK zgjedhje të parë për studimet universitare.