Sot në Galerinë e Arteve Pejë u hap ekspozita kolektive “Prap do t’ia nisim prej diellit”, ku një rol të veçantë zë Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përmes pjesëmarrjes së artistëve të tij.
Ekspozita përbën një moment të rëndësishëm artistik dhe bashkëpunimi mes Shkodrës dhe Pejës, në kuadër të festimeve për Pavarësinë e Kosovës.
Publiku pati mundësinë të admirojë punime në pikturë dhe skulpturë nga artistë të njohur si Artan Draçini, Andi Hila, Arben Suma, Denisa Brahimi, Mir Juka, Petrit Bilali, Senad Xhexhovi, Sidrit Lohja dhe Rozafa Shpuza.
Titulli i ekspozitës vjen nga një varg i poetit të madh Azem Shkreli, duke reflektuar mbi fuqinë e artit për të ndriçuar të ardhmen dhe për të ruajtur trashëgiminë kulturore.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë, duke mirëpritur artdashës dhe përfaqësues të institucioneve kulturore nga mbarë trojet shqiptare.
Ky event jo vetëm që forcon lidhjet mes artistëve, por edhe pasuron programin kulturor të festimeve të Pavarësisë së Kosovës.