Sot, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua Simpoziumi Shkencor “Alfabeti që bashkon shqiptarët”, në kuadër të Ditës së Alfabetit. Aktiviteti u nderua me pjesëmarrjen e gjerë të autoriteteve shtetërore, institucioneve akademike dhe komunitetit shkodran.
Në simpozium morën pjesë:
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Z. Bajram Begaj,
Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda,
Kryetari i Qarkut Shkodër, Edmond Ndou,
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Z. Nikollë Camaj,
Deputetë dhe përfaqësues vendorë, si edhe pedagogë, studentë, nxënës e qytetarë të Shkodrës.
Presidenti i Republikës përshëndeti simpoziumin, duke e cilësuar Ditën e Alfabetit si një ndër momentet themelore të identitetit kulturor shqiptar dhe duke theksuar rëndësinë e rolit të universiteteve në ruajtjen, studimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe.
Rektori i UNISHK, Tonin Gjuraj, në fjalën e tij përshëndetëse, vuri në pah rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe faktin se alfabeti i unifikuar i shërbeu kombit si mjeti më i fuqishëm i bashkimit kulturor dhe arsimor. Ai solli në vëmendje kontributin e figurave të mëdha si At’ Gjergj Fishta, Ndre Mjeda dhe Mit’hat Frashëri, duke rikujtuar mesazhin e Fishtës se “puna e gjuhës asht punë e shêjtnueshme”.
UNISHK, së bashku me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Fakultetin e Shkencave Shoqërore, rikonfirmoi angazhimin institucional për të vijuar kërkimin shkencor mbi alfabetin, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Në mbyllje të aktivitetit, Presidenti Begaj vizitoi Bibliotekën Shkencore të UNISHK, ku u njoh me fondet kërkimore, projektet dhe zhvillimet bashkëkohore të institucionit.
UNISHK vijon të mbetet një qendër e rëndësishme e dijes, studimit dhe identitetit kulturor, duke e festuar Ditën e Alfabetit me dinjitet institucional dhe vlerësim të traditës kombëtare.
