• Ankesa

UNISHK dhe Université de Haute-Alsace Bashkojnë Studentët në Projekte Frankofone

Në kuadër të projektit Erasmus+ MIC Albanie, disa studentë francezë nga Fakulteti i Gjuhëve dhe Shkencave Humane të Université de Haute-Alsace po ndjekin leksione pranë programit të studimit Bachelor “Gjuhë frënge” në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Prof. Dhurata Hoxha, koordinatore e projektit, tregon se studentët e dy universiteteve po punojnë së bashku në projekte pedagogjike dhe ndërkulturore, që trajtojnë:

të folurin e të rinjve në gjuhën frënge,

kënaqësinë e të lexuarit,

rëndësinë e mobilitetit si urë për njohjen e Tjetrit.

Përvoja të tilla, falë vizionit dhe angazhimit të pedagogeve të gjuhës frënge, po krijojnë mundësi konkrete për studentët:

përmirësim të aftësive komunikuese e kulturore,

zhvillim të metodologjisë kërkimore,

punë në rrjet me studentë europianë.

Këto iniciativa po e vendosin UNISHK në hartën e bashkëpunimeve akademike frankofone, duke rritur ndërkombëtarizimin dhe njohjen e tij në botën universitare franceze dhe më gjerë.

Në veprimtaritë e organizuara morën pjesë edhe maturantë nga gjimnazet e Shkodrës, duke nxitur interesin për studimet në gjuhën frënge në Universitetin e Shkodrës.