Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Shoqata Kombëtare e Guidave Turistike të Shqipërisë (NATGA) nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi, me synim forcimin e lidhjeve ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit profesional të turizmit.
Marrëveshja u nënshkrua nga Rektorja e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Blerta Dragusha, dhe Ardiola Alikaj, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Guidave Turistike të Shqipërisë (NATGA).
Bashkëpunimi synon krijimin e mundësive të reja për studentët përmes praktikave profesionale, vizitave studimore, aktiviteteve në terren, leksioneve të hapura dhe trajnimeve me ekspertë të fushës.
Fushat e bashkëpunimit përfshijnë zhvillimin e kompetencave profesionale, interpretimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, hartimin e itinerareve turistike, kërkimin shkencor dhe promovimin e turizmit të përgjegjshëm e të qëndrueshëm.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet programit profesional “Udhërrëfyes turistik dhe menaxhues i itinerareve turistike për rajonin verior”, pranë Departamentit të Gjeografisë, duke synuar ndërthurjen e njohurive akademike me përvojën praktike dhe nevojat e tregut të punës.
Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të mundësive të formimit profesional dhe zhvillimit të karrierës për studentët, si dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet universitetit dhe sektorit të turizmit.