• Ankesa

UNI Debate Një tjetër sukses për studentët e Universitetit të Shkodrës!

Gentiana Probibaj, studente e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, u shpall “Debatuesja më e mirë” e këtij edicioni të UNI Debate — një vlerësim që nderon përgatitjen e saj të shkëlqyer, pasionin për argumentin dhe aftësinë për të komunikuar me mendje të hapur dhe zë të fuqishëm!

Studentët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër treguan edhe një herë se janë zëri i mendimit kritik dhe argumentimit të strukturuar në arenën universitare! Pas një performance të shkëlqyer në gjysmëfinale, ekipi ynë u kualifikua në fazën përmbyllëse të UNI Debate, një garë kombëtare që teston njohuritë, logjikën argumentuese dhe aftësinë për të trajtuar tema me rëndësi bashkëkohore.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” u rendit në vendin e 3-të në rang kombëtar, duke siguruar një pozicion të merituar në mesin e universiteteve pjesëmarrëse nga mbarë Shqipëria! Një arritje që nderon përkushtimin dhe kapacitetet e studentëve tanë dhe frymëzon të gjithë komunitetin universitar.

Në këtë garë, Universiteti i Shkodrës u përfaqësua me dinjitet nga studentët e Fakultetit Ekonomik, përfshirë të tri departamentet, të cilët treguan se debati nuk është vetëm një garë fjalësh, por një nxitës për mendimin kritik, bashkëpunimin dhe lidershipin e së ardhmes.

Ky projekt zbatohet nga LIBURNETIK Organization dhe financohet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) dhe Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët (MSHRF), në kuadër të grantit shtetëror për rininë dhe TITAN Albania.

Urime të përzemërta ekipit tonë për përfaqësimin e shkëlqyer! Ju jeni dëshmi se rinia shkodrane ka zë, ide dhe guxim për të debatuar dhe ndryshuar botën!