• Ankesa

U zhvillua në Shkodër Konferenca Shkencore “Poetika e veprës letrare të Ridvan Dibrës”

Më 30 qershor 2025, në ambientet e Bibliotekës Universitare të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua me sukses konferenca shkencore me temë: “Poetika e veprës letrare të Ridvan Dibrës”, organizuar nga Departamenti i Letërsisë, në kuadër të vlerësimit kritik të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Në këtë veprimtari morën pjesë studiues dhe pedagogë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, të cilët në dy sesione paralele analizuan dimensionet tematike, stilistike dhe filozofike të krijimtarisë së autorit Ridvan Dibra – një ndër emrat më të rëndësishëm të prozës shqiptare moderne.

Konferenca u hap me përshëndetjet e Arben Prendit në emër të Bordit organizues, Zv.Rektores së Universitetit, Blerta Dragusha, Alfred Çapaliku, Dhurata Hoxha, Stefan Çapaliku dhe vetë shkrimtarit Ridvan Dibra, i cili shprehu mirënjohje për vëmendjen kritike ndaj veprës së tij.

Punimet u drejtuan nga figura të njohura të letrave dhe kritikës, si Gëzim Puka, Ag Apolloni, Virion Graçi, Sabina Osmanovic, etj.

Në kumtesat e paraqitura u trajtuan tema si:

• struktura narrative dhe eksperimentimi stilistik te Ridvan Dibra,

• raporti me mitin, groteskun dhe ironinë,

• qasjet psikologjike në romanet “Stina e ujkut” dhe “Legjenda e vetmisë”,

• trajtimi i identitetit gjinor dhe shoqëror,

• raporti me filozofinë dhe ndërtekstualitetin në veprat e tij.

Veçanërisht u veçua interesimi për mënyrën si Dibra ndërton universin e tij letrar përmes një poetike të individualizuar, të mbështetur në metaforë, sfidim të rregullave klasike dhe ritrajtim të mitit në një kontekst postmodern.

Konferenca shënoi një ndër ngjarjet më domethënëse të këtij viti akademik në fushën e letërsisë, duke dëshmuar rëndësinë që Universiteti i Shkodrës i kushton promovimit të studimeve kritike dhe dialogut akademik për letërsinë shqipe.