• Ankesa

U zhvillua me sukses Panairi i Punës dhe Karrierës 2026 në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi"

Sot, në hollin e Fakultetit Ekonomik, u zhvillua “Panairi i Punës dhe Karrierës 2026”, një aktivitet që bëri bashkë studentë, institucione dhe biznese në një hapësirë të përbashkët bashkëpunimi, informimi dhe mundësish konkrete për punësim e praktika profesionale.

Panairi u çel me fjalët përshëndetëse të:

Prof. Dr. Tonin Gjuraj – Rektor i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Znj. Teuta Qyteza – Nënkryetare e Bashkisë Shkodër

Znj. Xhezide Gurguri – Drejtoria e Programeve, Koordinimit dhe Bashkëpunimit Rinor pranë Agjencisë Kombëtare të Rinisë

Eng. Bledar Lahi – sipërmarrës, Promodesign, Promocionale Albania, Infiniti Office dhe Smart Hills Lake Villas

Z. Julian Jana – Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Punësimit dhe Aftësive, Shkodër

Në këtë edicion morën pjesë mbi 50 biznese dhe institucione nga fusha të ndryshme, të cilat prezantuan mundësi punësimi, praktika profesionale dhe programe zhvillimi për të rinjtë.

Aktiviteti ngjalli interesim të madh nga studentët e të gjitha fakulteteve, të cilët patën mundësinë të zhvillojnë intervista të drejtpërdrejta me kompanitë pjesëmarrëse, të krijojnë kontakte profesionale dhe të njihen më nga afër me kërkesat e tregut të punës.

Në fjalën e tij, Rektori Gjuraj theksoi rëndësinë e krijimit të Bordeve të Tregut të Punës pranë çdo departamenti, si organe këshillimore që pritet të planifikohen gjatë shtatorit të ardhshëm, me synim forcimin e lidhjes mes programeve të studimit dhe nevojave reale të tregut të punës.

Gjithashtu, ai vuri theksin edhe te roli i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe Studentët në gjurmimin e ecurisë së punësimit të të diplomuarve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, si një element i rëndësishëm për vlerësimin e ndikimit të programeve akademike dhe orientimin e mëtejshëm të studentëve.

Pjesë e panairit ishte edhe paneli i diskutimit me bizneset pjesëmarrëse, ku u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit Universitet–Biznes dhe sfidat e tregut të punës për të rinjtë.

Ky aktivitet konfirmoi edhe një herë rolin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” si një urë lidhëse mes studentëve dhe tregut të punës, duke krijuar hapësira konkrete për zhvillimin profesional të tyre.