• Ankesa

U nënshkrua sot në UNISHK marrëveshja me AIDSSH për akses akademik në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

Sot, më 26 qershor 2025, në ambientet e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH). Marrëveshja u firmos nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, dhe kryetarja e AIDSSH, znj. Gentiana Sula, e cila vizitoi sot Universitetin së bashku me ekipin e saj.

Kjo marrëveshje vjen pas takimit zyrtar të zhvilluar më 3 qershor në Tiranë ndërmjet Rektorit Gjuraj dhe znj. Sula, dhe synon të forcojë bashkëpunimin akademik, historik dhe qytetar ndërmjet dy institucioneve.

Qasja në dokumente – Studentët dhe pedagogët do të kenë të drejtë të kërkojnë dhe të përdorin dokumente nga arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit për qëllime studimore dhe kërkimore;

Mbështetje me ambiente – Institucionet do të vënë në dispozicion hapësirat e tyre për veprimtari të përbashkëta shkencore, kulturore dhe edukative;

Përfshirja e studentëve – Studentët do të angazhohen në transkriptimin, analizimin dhe dokumentimin e dëshmive historike;

Tema të Masterit dhe Doktoratës – Nxiset përfshirja e tematikave që trajtojnë periudhën e diktaturës, në bazë të dokumenteve arkivore;

Asistencë teknike dhe akademike – Universiteti do të ofrojë mbështetje profesionale për projektet që burojnë nga kjo marrëveshje;

Koordinim dhe pjesëmarrje – Do të sigurohet përfshirje aktive e komunitetit universitar në veprimtaritë e përbashkëta;

Promovim i përbashkët – Të dy institucionet angazhohen për pasqyrimin e bashkëpunimit në media dhe rrjete sociale.

Ky bashkëpunim do të krijojë mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Shkodrës, veçanërisht në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Fakultetin e Shkencave të Edukimit dhe Fakultetin e Drejtësisë, duke e kthyer dokumentimin historik në një burim të gjallë dijeje dhe reflektimi qytetar.