• Ankesa

Trajnimi me Zotero

Më datë 8 Prill 2025, Zyra e Ekselencës organizoi në ambientet e Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” një trajnim për shkrimin akademik me temë “Hyrje në Zotero – Menaxhimi elektronik i burimeve bibliografike.” Aktiviteti u zhvillua në kuadër të programit institucional për ngritjen e kapaciteteve kërkimore, rritjen e cilësisë së publikimeve shkencore dhe promovimin e përdorimit të mjeteve digjitale në procesin akademik.

Në një kohë kur kërkohen standarde gjithnjë e më të larta për transparencë, rreptësi metodologjike dhe bashkëpunim të strukturuar në kërkimin shkencor, menaxhimi elektronik i burimeve bibliografike ishte bërë një domosdoshmëri institucionale. Zotero, si një platformë falas dhe me burim të hapur, u ofron studiuesve mundësinë për të mbledhur, organizuar, ruajtur dhe cituar burime në formate të standardizuara ndërkombëtare (APA, MLA, Chicago etj.), duke u integruar në mënyrë të drejtpërdrejtë me programet e përpunimit të tekstit si Word, LibreOffice dhe Google Docs. Trajnimi synonte të mbështeste stafin akademik të të gjitha njësive në përvetësimin e një qasjeje të unifikuar dhe të standardizuar për menaxhimin e literaturës, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së dorëshkrimeve dhe në rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit brenda grupeve kërkimore.

Gjatë seancës u theksua se përdorimi i Zotero-s në grup lejonte krijimin e një biblioteke të përbashkët që përditësohej në kohë reale, duke eliminuar nevojën për transferime manuale të referencave dhe duke parandaluar gabimet në citim. Funksionaliteti i ndarjes tematike të literaturës sipas kapitujve, projekteve ose fushave të studimit u vlerësua si mjet i dobishëm për qasje të shpejtë dhe të saktë në burimet e nevojshme.

Trajnimi mbuloi si funksionalitetet bazë, ashtu edhe ato të avancuara të Zotero-s, përfshirë instalimin dhe konfigurimin fillestar, organizimin e koleksioneve, përdorimin e shtojcave për citim automatik, krijimin e grupeve të bashkëpunimit, modifikimin e stileve të citimit dhe integrimin me platforma të tjera kërkimore. Një segment i veçantë iu kushtua fazës praktike, ku pjesëmarrësit instaluan programin në pajisjet e tyre dhe përfituan asistencë teknike individuale për konfigurimin sipas nevojave specifike.

Agjenda e Trajnimit

Orari

Veprimtaria

Drejtues

Komente

 

 

 

 

10:30 – 11:00

Veprimtari për instalimin e Zotero

Noel Radovani, Specialist/Webmaster

Udhëzime teknike për shkarkimin dhe konfigurimin fillestar

 

11:00 – 11:40

Prezantim dhe ilustrim me shembuj praktikë

Elvisa Drishti, PhD

Demonstrim i funksioneve kryesore të Zotero dhe përdorimit në procesin akademik

 

11:40 – 12:00

Pyetje dhe diskutime me pjesëmarrësit

Elvisa Drishti, PhD & Noel Radovani, Specialist/Webmaster

Diskutim i hapur mbi përdorimin, përvojat dhe nevojat e stafit

 

12:00 – në vijim

Veprimtari shtesë për instalimin dhe asistencë teknike

Noel Radovani, Specialist/Webmaster

Mbështetje individuale për pjesëmarrësit që kanë nevojë për ndihmë shtesë teknike

 

 

Ky trajnim shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kulturës digjitale kërkimore në universitet, duke ndikuar pozitivisht në standardizimin e citimeve, rritjen e cilësisë së publikimeve dhe nxitjen e bashkëpunimit efektiv ndërmjet studiuesve. Zyra e Ekselencës planifikon vijimin e këtij cikli me module të avancuara për Zotero dhe trajnime të tjera tematike mbi integrimin e mjeteve digjitale në procesin kërkimor.

Në trajnim morën pjesë rreth 30 pedagogë nga fakultete dhe departamente të ndryshme të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke përfshirë përfaqësues nga shkencat shoqërore, shkencat natyrore, edukimi dhe ekonomiku. Pjesëmarrësit shfaqën interes të lartë jo vetëm për funksionalitetet bazë të Zotero-s, por edhe për mundësitë e tij të avancuara në menaxhimin e literaturës, bashkëpunimin në grupe kërkimore dhe standardizimin e citimeve, duke e konsideruar këtë mjet si një domosdoshmëri për rritjen e cilësisë dhe efikasitetit në punën e tyre akademike.

 

 

Përgjegjëse,

Zyra e Ekselencës
 

Dr. Elvisa Drishti
 

Dokumente të rëndësishme: