Më datat 5 dhe 6 maj 2025, Zyra e Ekselencës, në kuadër të programit “Diaspora për Universitetin” të planifikuar dhe koordinuar nga Drejtoria e Kërkimit Shkencor dhe Ndërkombëtarizimit, organizoi një trajnim intensiv dyditor me temë “24 Hapat drejt Vlerësimit Sistematik të Evidencës dhe Meta-Analizës”, i zhvilluar me platformën STATA dhe i udhëhequr nga Dr. Taulant Muka, një nga studiuesit shqiptarë më të cituar ndërkombëtarisht në fushën e epidemiologjisë dhe kërkimit të bazuar në evidencë.
 Ky aktivitet përbën një nga pikat kulmore të programit “Diaspora për Universitetin”, duke ofruar mundësinë që një ekspert i nivelit të lartë ndërkombëtar të angazhohet drejtpërdrejt me stafin akademik dhe kërkimor të Universitetit të Shkodrës, si dhe me pjesëmarrës nga universitete të tjera shqiptare publike dhe jopublike. Kjo përfshirje ndërinstitucionale synon jo vetëm transferimin e njohurive dhe praktikave më të mira kërkimore, por edhe ndërtimin e një rrjeti bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në vend.
 Trajnimi ofroi një qasje të plotë metodologjike për konceptimin, zhvillimin dhe publikimin e rishikimeve sistematike dhe meta-analizave sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare. Përmbajtja u bazua në dy publikime udhëzuese të autorësisë së Dr. Mukës, të përdorura gjerësisht në programe doktorale dhe qendra kërkimore të nivelit të lartë. Përveç përmbajtjes metodologjike, aktiviteti u pasurua nga një ligjëratë e ftuar e znj. Serena Tinari, gazetare hetuese e shëndetit publik me përvojë mbi 30-vjeçare, e cila trajtoi aspektet etike, transparencën dhe rolin e mediave në interpretimin dhe komunikimin e evidencës shkencore.
 Programi përfshiu:
 •    Formulimin e pyetjeve kërkimore të qarta (modelet PICO dhe ekuivalente).
 •    Ndërtimin e strategjive të kërkimit sistematik në databaza bibliografike.
 •    Vlerësimin metodologjik të literaturës ekzistuese.
 •    Zbatimin e teknikave statistikore për meta-analizë në STATA
 •    Interpretimin e rezultateve dhe përkthimin e tyre në rekomandime për politikëbërje dhe praktikë profesionale.
 Gjithashtu, iu kushtua vëmendje përdorimit të standardeve ndërkombëtare PRISMA, PROSPERO dhe GRADE, si dhe ushtrimeve praktike për përzgjedhjen e literaturës, analizën statistikore, ndërtimin e grafikëve dhe tabelave të rezultateve, dhe shkrimin e artikujve shkencorë.
 Pjesëmarrësit u pajisën me certifikatë zyrtare dhe paketën e plotë të materialeve metodologjike. Trajnimi ishte i akredituar me 2 kredite CTE nga European Agency for Higher Education and Accreditation (EAHEA) dhe 5 kredite CME nga European Accreditation Council for Continuing Medical Education (EACCME) dhe Swiss Institute for Postgraduate and Continuing Medical Education (ISFM/SIWF), duke i dhënë një vlerë të shtuar ndërkombëtare pjesëmarrjes.
 Ky aktivitet përforcoi misionin e programit “Diaspora për Universitetin” për të integruar ekspertizën e akademikëve shqiptarë në diasporë në zhvillimin e kapaciteteve kërkimore vendore, duke kontribuar në rritjen e cilësisë, transparencës dhe impaktit të kërkimit shkencor të Universitetit të Shkodrës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
 Përgjegjëse,
 Zyra e Ekselencës
Dr. Elvisa Drishti
 
 Dokumente të rëndësishme:

 
				
		
 
					 
					