Sot, më 8 Prill 2025, në ambientet e Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u zhvillua me sukses trajnimi i parë i organizuar nga Zyra e Ekselencës, me temë:
“Hyrje në Zotero – Menaxhimi elektronik i burimeve bibliografike.”
Trajnimi kishte për qëllim të fuqizojë stafin akademik me njohuritë dhe aftësitë për përdorimin e platformës Zotero – një mjet falas dhe me burim të hapur për organizimin, ruajtjen dhe citimin e literaturës shkencore në formatet më të njohura ndërkombëtare (si APA, MLA, Chicago, etj.).
Pjesëmarrësit u njohën me:
instalimin dhe konfigurimin e Zotero në pajisjet personale;
integrimin e tij me Word, LibreOffice dhe Google Docs;
krijimin e grupeve kërkimore dhe bibliotekave të përbashkëta;
përdorimin e stileve të ndryshme të referencimit dhe ndarjen tematike të burimeve.
Aktiviteti u përshëndet nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili vlerësoi trajnimin si një moment kyç për universitetin, duke theksuar se:
“Ky trajnim shënon fillimin e një qasjeje të re dhe moderne në kërkimin shkencor, që promovon cilësinë, transparencën dhe integritetin akademik.”
Trajnimi u zhvillua në formë interaktive, me demonstrime praktike dhe asistencë teknike individuale për pjesëmarrësit, nën drejtimin e Dr. Elvisa Drishti dhe Noel Radovani.
Zyra e Ekselencës do të vijojë me sesione të tjera të avancuara për përdorimin e Zotero dhe platformave të tjera që mbështesin procesin e publikimit shkencor dhe ndërkombëtarizimin e kërkimit.