Në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Departamenti i Lëndëve Klinike organizoi një trajnim me temë “Format e Diskriminimit dhe Bullizmit në Shkollë”, i mbajtur nga Dr. Jonida Lesha, pedagoge e psikologjisë në Departamentin e Psikologjisë dhe Punës Sociale, Fakulteti i Shkencave të Edukimit.
Trajnimi u përqendrua në identifikimin dhe adresimin e diskriminimit dhe bullizmit në mjediset arsimore, duke theksuar rolin e rëndësishëm të mësuesve në krijimin e një klime gjithëpërfshirëse, të sigurt dhe respektuese për të gjithë nxënësit.
Gjatë aktivitetit u trajtuan:
• format e ndryshme të diskriminimit dhe bullizmit që shfaqen në shkolla
• strategjitë për identifikimin e hershëm të këtyre fenomeneve
• mënyrat e ndërhyrjes efektive
• promovimi i komunikimit ndërkulturor në klasë
Në trajnim morën pjesë mësues që ushtrojnë profesionin, mësues në prag të licensimit, si dhe studentë të psikologjisë, të cilët u angazhuan në diskutime dhe reflektime mbi sfidat e menaxhimit të këtyre fenomeneve në praktikën arsimore.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Promoting Awareness of Intercultural Communication for Pre-Service Teachers in Northern Albania”, pjesë e programit Research Expertise from the Academic Diaspora (READ) Fellowship Program, i financuar nga Albanian-American Development Foundation.
Ekipi i projektit përbëhet nga Dr. Jonida Lesha, Prof. Asoc. Dr. Alva Dani dhe Prof. Asoc. Dr. Bresena Kopliku nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Dr. Elvita Kondili nga Adler University në Chicago, në rolin e Diaspora Scholar.
