Zgjerimi i hapësirave zhvillimore dhe ndërvepruese të Institucioneve të Arsimit të Lartë përmes Misionit të Tretë( shfrytëzimin e teknologjive dhe inovacioneve në bashkëpunimet me ndërmarrjet publike dhe private).
Në kuadrin e zhvillimit të projektit U-SIA " "University to Society Innomediaries in Albania: Co-Production of knowledge and research that matters”, partnerë i të cilit është dhe Universiteti i Shkodrës” Luigj Gurakuqi”, u zhvillua një trajnim 3 ditor në Münster të Gjermanisë.
Mikpritës ishte ACEEU (Accreditation Council for Entrepreneurial and Engaged Universities), stafi i të cilit, paraqiti vlerën e misionit të tretë të universiteteve dhe se si ky mision, mund të zbatohet përmes bashkëpunimit me ekosistemin.
Trajnimi u zhvillua nga specialistët e këtij institucioni certifikues si dhe të ftuar nga biznesi dhe partnerët e tyre. Ky trajnim u realizua me metodën e kombinuar: ligjërata, diskutime, seminare dhe në vizitat në laboratorët dhe partnerët e ACEEU.
Pjesëmarrësit patën mundësi konkrete të njiheshin me përvojën praktike të ACEEU, për misionin e tretë të universiteteve (shfrytëzimin e teknologjive dhe inovacioneve në bashkëpunimet me ndërmarrjet publike dhe private).
Në fokusin kryesor të trajnimit u paraqitën kryesisht format e bashkëpunimit me industritë për të ndërtuar frymën sipërmarrëse të studentëve.
Aktiviteti u hap nga Lina Landinez, CEO e ACEEU, e cila u uroi mirëseardhjen të gjithëve dhe prezantoi shkurtimisht misionin e ACEEU dhe përvojën e saj të akreditimit në vende të ndryshme të botës. Në vijim, Hugo Buitrago, Ekspert Ndërkombëtar i Projekteve dhe Akreditimit në ACEEU, i njohu të pranishmit me qasjen e ACEEU për të promovuar, vlerësuar dhe zhvilluar në Misionin e Tretë të Universiteteve përmes akreditimeve institucionale.
Në vijim ishte menaxherja Ekzekutive e ACEEU Adisa Ejubovic, e cila krahas përvojës së institucionit të cilin përfaqëson, ftoi të gjithë të pranishmit të paraqitnin përvojat e institucioneve të tyre dhe së bashku të diskutonin në gjetjen e zgjidhjeve për çështjet e me të cilat zakonisht përballen institucionet e arsimit të lartë.
Në ditën e dytë të trajnimit, pjesëmarrësit u ftuan në një turne në terren në selinë qendrore të Qendrës REACH -EUREGIO në Münster.
Rolf Laakmann, anëtari i ekipit menaxhues në TAFH Münster GmbH (Agjencia e Transferimit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara Münster), ndau përvojën e tij në bashkërendimin e sipërmarrjes me arsimin e lartë.
Prof. Dr. David Bendig, kreu i institutit për sipërmarrjen në Universitetin e Münster-it dhe anëtar i bordit ekzekutiv në Qendrën REACH-EUREGIO, prezantoi se si REACH i mbështet studentët që ta shndërrojnë frymëzimin e tyre në një karrierë të vërtetë.
Krahas vizitës njohëse në qendrën Reach pjesëmarrësit bashkëbiseduan rreth ekosistemit të strukturave mbështetëse të sipërmarrjes në North Rheine-Westphalia.
Në ditën e tretë Olimpia Fumo dhe Federica Casaccio, ekspertë të akreditimit dhe zyrtarë projekti në ACEEU, drejtuan seminarin e parë që prezantoi Paketën e Mjeteve dhe Kornizën ACEEU për universitetet sipërmarrëse. Pjesëmarrësit përdorën mjetet e ACEEU për të diskutuar qasjet dhe strategjitë e tyre për të promovuar sipërmarrjen në universitetet e tyre. Ata patën mundësinë të prezantojnë modelet dhe strategjitë e tyre dhe të mësojnë nga njëri-tjetri se si të nxisin partneritetet sipërmarrëse me palët e interesuara në ekosistemin e tyre. Ekspertetët e ACEEU ofruan një metodologji bazë për të zhvilluar zgjidhje të zbatueshme për sfidat me të cilat përballen pjesëmarrësit në universitetet e tyre.
Në fund, partnerët u transferuan në inkubacionin fillestar të Digital Hub, ku Sebastian Köffer, CEO i Digital Hub Münster LAND (Digital Hub dhe FabLab), ndau përvojën e tij për biznesin dhe sfidat e tij. Partnerët e projektit u inkurajuan gjithashtu të eksperimentojnë me teknologjinë VR, printerin 3D dhe robotin e ofruar në Hub.
E gjithë kjo përvojë u vlerësua si shumë e dobishme për të zhvilluar shpirtin sipërmarrës të stafeve akademike, administrative dhe të studentëve dhe për të mundësuar partneritete mes universiteteve dhe shoqërisë.