Territori dhe kujtesa historike Rivitalizimi i vendeve pak të njohura

Sot në ambjentet e Rektoratit te Universitetit të Malit të Zi në Podgoricë u zhvillua Seminari me temë Territori dhe kujtesa historike : Rivitalizimi i vendeve pak të njohura , në kuadër të projektit PLACOD përmes të cilit synohet të krijohet një platformë digjitale në gjuhë të huaja për promovimin e territorit.

 

Aktiviteti u moderua nga Prof. As. Dr. Dhurata Hoxha, anëtare e ekipit të këtij projekti.

 

Me kumtesën e saj shumë interesante Prof.As.Dr Jovana Janinoviç, pedagoge dhe kërkuese shkencore pranë Universitetit të Malit të Zi, Fakulteti i Turizmit dhe Hotelerisë, si edhe Drejtuese e Qendrës Frankofone, solli eksperiencën e saj mbi promovimin e trashëgimisë së rregjimit totalitar komunist në Mal të Zi. Ajo foli rreth mënyrës se si u paraqitet turistëve të huaj kjo periudhë historike. Konkrtetisht, demokratizimi i interpretimit të trashëgimisë kulturore tashmë të debatuar në Evropën Qendrore dhe Lindore konsiston në kujtime personale, anekdota, barcaleta, etnografi. Falë metodës kërkimore Netnography analizohen të dhënat e mbledhura në internet mbi vendet, historitë apo barcaletat e periudhës së komunizmit, të cilat përditësohen vazhdimisht dhe shfrytëzohen për guidat turistike, duke krijuar kësisoj identitetin urban.

 

Prof.As.dr. Brice Martin, profesor dhe kërkues në CRESAT me kumtesën e tij Vlerësimi i territorit në varësi të rreziqeve natyrore të mundshme referoi rreth eksperiencës së tij në një projekt i cili synon sensibilizimin e komunitetit për t’u mbrojtur nga përmbytjet përmes vlerësimit të kujtesës kolektive mbi trashëgiminë vendase në zonën e Alzasës. Me foto konkrete të përvojës pozitive të menaxhimit të situatave të përmbytjeve në vitet më kritike në qytetin e Muttersholtz, kryeqyteti rezistencës, por jo vetëm, ai solli në vëmendje edhe zhvillimin e Javës së rezistencës në tetor të këtij viti, ku u përfshinë nxënës, të zgjedhur, biznese në veprimtari të tilla si : ëorkshope kushtuar kulturës së rrezikut të përmbytjeve, lojra, ekspozita ku vlerësohen foto historike, etj.

 

Prof.as,Dr. Eliana Laçej së bashku me Dr. Lindita Kazazi, pedagoge pranë Departamentit të Romanistikës dhe anëtare të projektit PLACOD, hodhën idenë e implementit të një modeli të ri turizmi: turizmin kinematigrafik. Pasi sollën një panoramë të përvojës së disa vendeve perëndimore e më gjerë në këtë fushë, ato pohuan se me peizazhet unike dhe trashëgiminë historike, Shqipëria ka potencial të madh për të zhvilluar këtë lloj turizmi. Filmat, serialet dhe reklamat janë mjete të fuqishme për të transmetuar vlerat e një territori dhe për të ndikuar në turizëm. Bazuar në një studim të kryer në vitin 2023 nga grupi PhotoAiD ka rezultuar se filmat janë bërë një mjet i fuqishëm për të promovuar territore, duke ndikuar në turizëm përmes angazhimit emocional të spektatorëve, çka do të përbënte një risi edhe për promovimin e trashëgimisë kulturore përmes turizmit kinematografik.

 

Në përfundim, në vijim të pyetjeve dhe diskutimeve lindën ide dhe u këmbyen ekperienca të frytshme në fushën e zhvillimit të turizmit kulturor.