• Ankesa

Teatër poetik

Pas disa muajsh prova dhe pas një procesi të gjatë krijues, u kurorëzua me sukses një projekt artistik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përmes shfaqjes “Teatër poetik”, me vargje nga Migjeni, Martin Camaj dhe Arshi Pipa. Kjo veprimtari artistike, e dhënë në dy ditë, më 13 dhe 18 nëntor 2025, rizgjoi motivet dhe idetë gjithëpërfshirëse e gjithëkohore të këtyre penave të shquara, të cilat erdhën me ndjeshmëri të thellë artistike dhe me ngjyresat ironike të kohës sonë. Lashtësia, tradita dhe zakoni, plagët sociale, peizazhi alegorik i trishtë, mërgimi, identiteti kulturor, ironia filozofike dhe ajo politike u përcollën ndër spektatorë përmes disa mizanskenave mbresëlënëse.

Platforma dhe libreti i këtij projekti artistik u konceptuan nga pedagogu i Departamentit të Letërsisë, prof. as. dr. Gëzim Puka. Bashkëpunoi prof. as. dr. Arben Prendi, përgjegjës i Departamentit të Letërsisë.

Vargjet e këtyre poetëve të spikatur të letërsisë shqipe u përditësuan me një gjuhë skenike emocionuese, përmes vënies në skenë nga Gëzim Puka dhe aktori i Teatrit “Migjeni”, Astrit Fani. Ky i fundit spikati edhe me pjesëmarrjen si interpretues, duke e bërë spektaklin shembull të një bashkëpunimi ndërinstitucional mes Universitetit tonë dhe teatrit “Migjeni”.

Pa dyshim, nxitja e vëmendjes për përjetimin e poezive u bë e mundur falë interpretimit të studentëve të fakulteteve të ndryshme të universitetit tonë.

Morën pjesë:

Savjana Vjerdha, Jetmir Mesi – Fakulteti i Shkencave të Edukimit

Evis Muriqi, Amelja Krosaj – Fakulteti i Shkencave Shoqërore

Jozef Marashi, Sidrit Doda, Nikola Brigjaj – Fakulteti Ekonomik

Erisona Hoxhaj – Fakulteti i Drejtësisë

Kristela Lazri – Fakulteti i Shkencave të Natyrës.

Megjithëse ishte konceptuar si shfaqje e fjalës artistike, asaj nuk i munguan edhe mjetet shprehëse koreografike dhe muzikore. Vlera e kësaj veprimtarie u shtua edhe falë elementeve muzikore dhe fonike, të përcjella nga studentët Savjana Vjerdha (si këngëtare e mirënjohur), Jetmir Mesi dhe Erisona Hoxhaj (si instrumentistë).

Një falënderim i veçantë shkon edhe për stafin teknik të shfaqjes: Rovena Mesi dhe Doriana Deda.

Aktiviteti u prit shumë mirë nga spektatorët: studentë, pedagogë dhe dashamirës të artit të fjalës, si dhe zgjoi interesin e mediave.