Në Sallën e Konferencave të Fakultetit të Ekonomisë në Shkodër , u zhvillua eventi Talk@UNISHK me temë “Planifikimi dhe Menaxhimi i Qëndrueshëm i Destinacioneve Turistike; Roli Strategjik i DMO-ve” . Organizuar nga pedagoget Brilanda Bushati dhe Enkeleda Laçej, ky aktivitet synoi të frymëzojë dhe informojë pjesëmarrësit mbi praktikat më të mira, sfidat dhe strategjitë në zhvillimin e destinacioneve turistike, duke theksuar rolin e Organizatave të Menaxhimit të Destinacioneve (DMO) dhe bashkëpunimin e aktorëve të ndryshëm në industrinë e turizmit.
Eventi u përshëndet nga Rektori i Universitetit, z. Tonin Gjuraj , zv. Ministrja e Turizmit, znj. Ilva Gjuzi Daci , Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, z. Rudin Beka , dhe Dekania e Fakultetit Ekonomik, znj. Elidiana Bashi .
Në fjalën e tij përshëndetëse, Rektori Gjuraj u fokusua në rolin e universitetit në promovimin e turizmit të qëndrueshëm dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe industrisë së turizmit .
Prezantimet kryesore përfshinë:
1. Marin Mema , autor dhe realizues i ciklit të dokumentarëve “Gjurmë Shqiptare”, i cili foli mbi rolin e historisë dhe kulturës në zhvillimin e destinacioneve turistike.
2. Mirtjon Mita , ekspert i turizmit të qëndrueshëm dhe i DMO-ve, i cili trajtoi menaxhimin e destinacioneve për një turizëm të qëndrueshëm.
3. Stephan Joss , drejtor i projektit në Helvetas, i cili ndau përvojën zvicerane në zhvillimin e destinacioneve, duke theksuar inovacionet për një turizëm të qëndrueshëm dhe punësimin e të rinjve.
4. Djana Bejko , drejtuese ekzekutive e OJF “Shkodra Lake”, e cila diskutoi promovimin e turizmit të qëndrueshëm në rajonin e Shkodrës.
5. Kristina Fidhi nga organizata TIP DMO “Visit Gjirokastra”, e cila foli mbi rolin e organizatave DMO në rritjen turistike.
Pas prezantimeve, u zhvillua një sesion diskutimesh dhe pyetje-përgjigje ndërmjet folësve dhe pjesëmarrësve, duke u fokusuar në shkëmbimin e praktikave më të mira dhe sfidave të përbashkëta. Gjithashtu, studentët e Masterit Shkencor “Menaxhim i Turizmit të Qëndrueshëm” prezantuan koncept-ide për zhvillimin e një fshati turistik malor si model i turizmit të qëndrueshëm.
Ky forum bashkoi aktorë të rëndësishëm nga sektorë të ndryshëm – përfaqësues të qeverisjes vendore dhe qendrore , akademikë , profesionistë dhe ekspertë të turizmit , si dhe aktorë të industrisë – për të shkëmbyer përvoja, për të ndarë praktikat më të mira dhe për të adresuar sfidat në fushën e menaxhimit të qëndrueshëm të destinacioneve turistike.