Aktivitete të Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në kuadrin e “Muajit të letërsisë”
Departamenti i Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përveç aktivitetit akademik në auditor i kushton rëndësi edhe takimeve periodike me shkrimtarë të afirmuar dhe të rinj. Në këto takime përfshihen studentë të degëve Gjuhë-letërsi dhe Gazetari-komunikim si dhe pedagogë të letërsisë, të njohur si studiues dhe kritikë letrarë. Gjatë muajit nëntor u organizuan tre takime dhe diskutime për romanet e prozatores Eralda Baze, poezitë e Loreta Shcillock, romanet e Agim Gjakovës.
Më 24 nëntor 2023 takimi me shkrimtarin Agim Gjakova përmbylli aktivitetet e organizuara nga Departamenti i Letërsisë për "Muajin e letërsisë".
Drejtori i departamentit të Letërsisë, prof.as.dr. Arben Prendi falenderoi autorin për praninë e tij në Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi" ndërsa paraqiti disa të dhëna mbi jetën dhe veprën e tij.
Zëvendësdekania e Shkencave Shoqërore, dr.Ermira Alija i dorëzoi autorit një certifikatë vlerësimi me motivacionin:"Shkrimtarit të shquar AGIM GJAKOVA. Për ndihmesën e dhënë në pasurimin e vlerave origjinale të letërsisë shqipe dhe frymën thellësisht atdhetare të krijimtarisë së tij".
Me këtë rast për veprën letrare të shkrimtarit Agim Gjakova dhe në veçanti për romanin "Korridoret e gjelbra", referuan studiuesi Pandeli Koçi, pedagogu i departamentit të Letërsisë, dr. Gëzim Puka, Behar Gjoka, studiues, Edon Bushaj, student i Masterit Profesional në Gjuhë-Letërsi dhe prof.as. dr.Arben Prendi. Autori Agim Gjakova shprehu kënaqësinë e tij që zgjodhi Shkodrën për të paraqitur edhe kompletin e veprës së tij letrare, sepse me këtë qytet ruan lidhje shpirtërore dhe kulturore të veçanta.