Takimi letrar “dielli më perëndon në lindje” Me shkrimtaren eralda baze
Në sallën “Vehbi Bala” të Bibliotekës Shkencore Universitare u zhvillua më datë 19.05.2022 aktiviteti letrar “Dielli më perendon në lindje” në qendër të cilit ishte njohja dhe bashkëbisedimi i studentëve të degës Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari-Komunikim me shkrimtaren e re Eralda Baze. Ky aktivitet erdhi në vijim të aktiviteteve letrare e kulturore që janë organizuar gjatë vitit akademik 2021-2022 dhe si një bashkëpunim i Departamentit të Letersisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Bibliotekës Universitare dhe botuesin Schnell.
Autorja Eralda Baze ka lindur në Skrapar. Studimet e universitare i ka kryer në degën Inxhinieri Ndërtimi në Ankara dhe në Tiranë. Romani “Dielli më perëndon në Lindje” është romani i saj i parë, roman i cili ka ngjallur interesimin e lexuesit.
Në pjesën e parë të takimit u mbajtën tre kumtesa për temat, personazhet, gjuhën artistike të përdorur në këtë roman.
Prof.as. dr. Arben Prendi, pedagog i Letërsisë shqipe bashkëkohore dhe drejtor i Departamentit të Letërsisë, me kumtesën: “Fati i femrës shqiptare në shoqërinë e tranzicionit” nënvizoi temat kryesore të romanit dhe u përqendrua në mënyrën e përshkrimit artistik të fatit të femrës shqiptare të periudhës së tranzicionit në roman. Ai vlerësoi kurajon e autores për të trajtuar edhe tema delikate që kanë të bëjnë me emancipimin shoqëror, fetar e kulturor.
Ndërsa dr. Ermira Alija, kërkuese shkencore pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në kumtesën e saj: “Sarkazma dhe kategorizimi dy shkak-pasoja që ndërrojnë rolet” analizoi në detaje përdorimin e sarkazmës dhe kategorizimeve të lidhura ngushtë në gjuhën artistike të romanit.
Dr. Ermira Ymeraj, punonjëse e Bibliotekës Shkencore me temën: “Veçori të ndërtimit të personazheve letrare” u ndal në portretizimin e personazheve dhe botës së tyre origjinale në këtë roman.
Ndërmjet kumtesave, studentët e degës Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari Komunikim: Xhuliana Guri, Valbona Pllumaj, Blerta Mlloja etj., lexuan disa fragmente nga romani.
Pas kumtesave u kalua në një bashkëbisedim të ngrohtë ndërmjet autores Eralda Baze dhe të pranishmëve. Në fjalën e saj, autorja shprehu kënaqësinë që ishte e ftuar në këtë takim në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe e cilësoi si më të veçantin nga të gjitha takimet që kishte bërë deri tani. Studentët i drejtuan disa pyetje që kishin të bënin me konceptin e saj për letërsinë, me mënyrën e shkrimit të romanit, me domethënien e personazheve letrare në romanin “Dielli më perëndon në Lindje” etj. Baze në përgjigje të interesimit të të pranishmëve, tha se nxitje për shkrimin e romanit përveç të tjerash ishte edhe realiteti shumë dinamik dhe kaotik në Shqipërinë e këtyre viteve.
Në takim ishin të pranishëm pedagogë, studentë, mësues të gjuhës dhe letërsisë, maturantë të shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës. Autorja në përfundim të aktivitetit dhuroi disa kopje të romanit për Bibliotekën Shkencore dhe për studentët, të cilët patën rastin për foto dhe autografe të personalizuara. Aktiviteti u përmbyll me një koktej për pjesëmarrësit.