TAKIMI “LETËRSIA, MES PROFESIONIT DHE PASIONIT”

-Aktiviteti i kushtohej veprës letrare të pedagogëve të departamentit të Letërsisë në kuadrin e “Ditës Ndërkombëtare të Librit”-

Në kuadrin e “Ditës Ndërkombëtare të Librit” Biblioteka Shkencore e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në bashkëpunim me departamentin e Letërsisë në këtë universitet, organizoi me datën 28.04.2022 në mjediset e bibliotekës, takimin me temë “Letërsia, mes profesionit dhe pasionit” (Me veprën letrare të pedagogëve Alfred Çapaliku, Ridvan Dibra, Arben Prendi dhe Ledri Kurti). Merrnin pjesë pedagogë, studentë, maturantë, mësues të gjuhës dhe letërsisë. Drejtoresha e bibliotekës Alketa Bekteshi në çelje të takimit shprehu angazhimin e këtij institucioni për të promovuar veprimtarinë akademike dhe letrare të pedagogëve dhe studentëve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Ndërsa drejtori i departamentit të Letërsisë prof.as.dr. Arben Prendi theksoi faktin se ky departament përbëhet nga pedagogë të kualifikuar me grada e tituj shkencorë, por edhe nga krijues të njohur të letërsisë shqiptare, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, si: poeti Alfred Çapaliku, romancieri, dramaturgu dhe poeti Ridvan Dibra, poeti Arben Prendi, poetja Ledri Kurti. Ky fakt përbën një nga pikat e forta të këtij departamenti, që mbështetur në këto kapacitete akademike dhe krijuese, ka një ofertë serioze për maturantët e Veriut të Shqipërisë, të qytetit të Shkodrës me rrethina, por edhe për maturantët shqiptar në Malin e Zi, në Ulqin, Tuz e në trojet tjera shqiptare, dy programet e studimit:

-Bachelor në Gjuhë-Letërsi, në bashkëdrejtim me departamentin e Gjuhësisë;

-Bachelor në Gazetari-Komunikim.

Maturantët e talentuar në letërsi, gazetari dhe profilin shoqëror, në këto programe studimi që ruajnë dhe kultivojnë identitetin kulturor, gjuhësor e letrar kombëtar mund të bashkojnë profesionin me pasionin, në qytetin e korifejve të kulturës dhe artit shqiptar, në Shkodër.

Takimi që u moderua nga dr. Ermira Ymeraj, specialiste e sektorit të bibliografisë në këtë bibliotekë, ishte konceptuar në 3 pjesë: paraqitje e veprave letrare të secilit autor, lexime nga studentët, intervista dhe vlerësime nga studiuesit dhe kritika letrare për veprën e tyre. Në aktivitet u përfshinë me lexime nga krijimtaria e pedagogëve, intervista, përshkrime të veprave të tyre letrare edhe studentët e vitit të parë të programit të studimit Bachelor në Gjuhë-Letërsi, Xhuljana Guri, Rosela Vata, Marsida Vallasi, Valbona Pllumaj dhe nga programi i studimit Gazetari-Komunikim Blerta Mlloja, studente e vitit të parë. Ndërkaq pjesë e leximeve ishin edhe poezitë e studenteve të programit Gjuhë-Letërsi, Klevisa Bardeli në vitin e tretë dhe Xhuliana Guri, studente në vitin e parë. Për një orë e gjysëm veprimtaria u ndoq me mjaft interes nga të pranishmit dhe pati një jehonë të gjerë në median lokale dhe kombëtare.