Më 3 shkurt 2023, në mjediset e FSHN të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" u zhvillua takimi i grupit të projektit MEDIVER- "Për një menaxhim dhe digjitalizim mbi baza shkencore të biodiversitetit në Qarkun e Shkodrës".
Projekti mbështetet nga AKKSHI- Programi Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim dhe zbatohet nga Universiteti ynë në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, FSHN dhe Universitetin POLIS.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është, jo vetëm vlerësimi i situatës së biodiversitetit llojor dhe atij të ekosistemeve, por edhe monitorimi në terren i gjendjes reale të llojeve dhe habitateve.
U realizuan ekspeditat në zonën e Alpeve, Bregun e Liqenit të Shkodrës dhe, përveç hartimit të bazës së të dhënave për biodiversitetin, hartëzimit në formatin GIS, do të vlerësohen edhe disa nga shërbimet e ekosistemeve.
Grupi i punës po diskuton për detajet e paraqitjes së publikimit, paraqitjes së hartave, etj. Në kuadër të projektit do të ngrihet edhe një grup ndërinstitucional, i cili do të punojë për të forcuar kriteret e qëndrueshmërisë gjatë menaxhimit të biodiversitetit llojor dhe atij të ekosistemeve në Qarkun e Shkodrës.