Me datën 11 tetor, Agjensia Universitare e Frankofonisë, përfaqësuar nga ekipi i Zyrës për Evropën Qendrore dhe Lindore vizituan Universitetin e Shkodrës si anëtar i këtij rrjeti botëror të universiteteve frankofone.Takimi u zhvillua në mjediset e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, i cili ka një bashkëpunim të frytshëm me këtë Agjensi, me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe përfaqësuesve të Zyrës së Kurrikulave, Zyrës së Marëdhënieve me Jashtë, Zyrës së projekteve, Instituteve kërkimore-shkencore, Zyrës së Financave etj.
Z.Muhamet Ketata, drejtor i Agjensisë Universitare të Frankofonisë për Evropën Qendrore dhe Lindore përgëzoi drejtuesit dhe kolegët për mirëpritjen, vlerësoi bashkëpunimin me USH, i cili mund të zgjerohet në shumë drejtime. Ai paraqiti strategjinë e re të këtij institucioni në ndihmë të universiteteve anëtare, bazuar në sigurimin e cilësisë, zhvillimin e kërkimit shkencor, administrimin e universiteteve, transformimin dixhital, barazinë gjinore. Takimi vijoi me referimet e të ftuarve mbi përvojën e deritanishme të këtij bashkëpunimi, nevojat dhe pritshmëritë në të ardhmen. U theksuan : rëndësia e projektit të financuar nga AUF “Krijimi i programit të studimit Bachelor në Gjuhë të Huaja për Turizmin” implementimi i të cilit po ndihmon në përmirësimin e kurrikulave ekzistuese dhe zgjerimin me programe të reja të përbashkëta me universitet e huaja; rëndësia e mobiliteteve në kuadër të projekteve Erasmus + , mundësia e atashimit të institutive kërkimore -shkencore në rrjetet botërore të intituteve shkencore të AUF; përvoja e stasheve të paguara nga AUF për studentët e gjuhës frënge në fushën e përkthimit, pranë Shoqatës së Mësuesve Shqipëri si dhe pjesëmarrja në Festivalin e studentëve frankofon në Bukuresht.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin edhe me aktivitetin e partnerëve të tjerë të AUF në rajon si Universitetin e Prishtinës dhe Shoqatën e Mësuesve të Gjuhës frënge Shqipëri, me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit.