• Ankesa

Takimet e Dom Mikelit 2025

“Luigj Gurakuqi – shtetari dhe letrari”, në 100-vjetorin e vrasjes.

Takimet u zhvilluan më 19-20 shtator në Stubëll të Epërme, Viti, Kosovë, me ftesë të Don Fatmir Koliqit, famullitar i Stubllës së Epërme.

Në Akademinë Shkencore morën pjesë përfaqësues të institucioneve akademike, studiues, pedagogë dhe dashamirës të kulturës shqiptare. Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, theksoi se në këtë përvjetor Gurakuqi duhet kujtuar jo vetëm si martir, por edhe si mësues i madh, humanist dhe burrë shteti. Ai nënvizoi se Gurakuqi na mëson se Shqipëria ndërtohet me libra , me integritet dhe me bashkëpunim mbarëkombëtar , në mënyrë që zëri i ditur i shqiptarëve të qëndrojë përkrah ansamblit të popujve europianë. Për Universitetin e Shkodrës, që mban çdo ditë emrin e tij, kjo trashëgimi nuk është thjesht kujtim, por një angazhim i përhershëm për t’iu qëndruar besnik idealeve të Gurakuqit.

Ndër ligjëruesit kryesorë ishin edhe pedagogët e Universitetit të Shkodrës, Arben Prendi dhe Gëzim Puka, të cilët sollën kontributin e tyre mbi figurën e Gurakuqit si poet dhe studiues i vargëzimit shqip .

Në mesin e të pranishmëve ishin gjithashtu Enver Hoxhaj, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, në cilësinë e studiuesit, si dhe Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës , krahas shumë personaliteteve të tjera të botës akademike dhe kulturore.

Ky edicion i Takimeve të Dom Mikelit dëshmoi se figura dhe vepra e Luigj Gurakuqit mbeten një trashëgimi e përbashkët mbarëkombëtare , që vazhdon të frymëzojë brezat shqiptarë kudo që jetojnë