Në kuadër të projektit Erasmus+ HED “Fundamental Rights in Daily Actions of Social Workers (FRIDAS)” pedagoget e Departamenti Psikologji – Punë Sociale, pjesëtare të ekipit të projektit, Dr. Elona Hasmujaj dhe Dr. Galsvinda Biba, zhvilluan një sërë takimesh të rëndësishme me palët e interesit në qytetin e Shkodrës. Takimet kishin për synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe prezantimin e objektivave kryesore të projektit.
Takimet u realizuan me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave me rol të rëndësishëm në fushën e punës dhe politikave sociale:
- Znj. Arlinda Bilali, Drejtoreshë e Drejtorisë së Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Shëndetit Publik pranë Bashkisë Shkodër;
- Koordinatorin e Qarkut Shkodër për Urdhrin e Punonjësve Socialë, Z. Suad Arilla;
- Znj. Trendelina Boriçi, përfaqësuese e Qendrës “Gruaja tek Gruaja”.
Gjatë këtyre takimeve u diskutuan çështje me rëndësi të veçantë që lidhen me objektivat e projektit, grupet e përfituesve, si dhe rezultatet e pritshme në raport me ndikimin që projekti synon të sjellë në komunitet. Palët e interesit shprehën gatishmëri për bashkëpunim dhe vlerësuan rëndësinë e nismave që promovojnë qasjen e bazuar në të drejta në përfshirjen sociale, fuqizimin institucional dhe mbështetjen e grupeve vulnerabël.
Interesi i treguar nga partnerët lokalë dëshmon për rëndësinë dhe aktualitetin e tematikave që trajton projekti F.R.I.D.A.S, si dhe për nevojën e një koordinimi të vazhdueshëm ndërmjet universitetit, institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile.
