Takim akademik ndërkombëtar mbi përballjen me sfidat globale të edukimit për mjedisin dhe paqen nëpërmjet bashkëpunimit ndërfetar
Shkodër, 12 Prill 2025 – Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi sot një takim ndërkombëtar dhe akademik në kuadër të programit Erasmus+ me titull “Përballja me Sfidat Globale: Edukimi për Mjedisin dhe Paqen nëpërmjet Bashkëpunimit Ndërfetar në Trajnimin e Mësuesve të Fesë”.
Ky aktivitet mblodhi studiues dhe pedagogë nga vende të ndryshme të botës me synim forcimin e bashkëpunimit akademik dhe rritjen e ndërgjegjësimit për sfidat globale përmes edukimit, me theks të veçantë mbi mjedisin dhe paqen.
Delegacioni u prit nga Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, ndërsa në sallën e Senatit të universitetit u zhvillua një panel tematik nga lektori Dr. Ervis Krymbi me titull:
“Burimet ujore të Rajonit të Shkodrës dhe sfidat përballë ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve natyrore”, i moderuar nga Dr. Skënder Bruçaj.
Ky projekt ndërkombëtar realizohet në partneritet me pesë universitete prestigjioze nga vende të ndryshme të botës dhe është i mbështetur nga Bashkimi Evropian:
• Kolegji Universitar Bedër, Shqipëri
• Universitat Internacional de Catalunya (UIC Barcelona), Spanjë
• Universität Augsburg, Gjermani
• International Islamic University Malaysia (IIUM), Malajzi
• KPH Wien/Krems – Kirchliche Pädagogische Hochschule Wien, Austri
Në përfundim të takimit, ekipi gjerman i Augsburg-ut propozoi që UNISHK t’i bashkohet Konsorciumit të tyre si anëtar i asociuar në këtë projekt.