Më datë 24 Prill 2025, Fakulteti Ekonomik i Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër organizoi një aktivitet të dedikuar për maturantët me temë “Takim me maturantin”, me synimin për t'i njohur ata me mundësitë që ofron Fakulteti Ekonomik. Njohja me programet e studimit në Administrim-Biznes, Finance-Kontabilitet dhe Turizem orientoi nxënësit e shkollave të mesme në zgjedhjet e tyre për studimet e larta.
Takimi u moderua nga studentet Alesio Zadrima dhe Eleonora Lumçi, të cilët, me profesionalizëm dhe entuziazëm, i prezantuan maturantëve një panoramë të gjerë mbi aktivitetet që zhvillohen në Fakultetin Ekonomik. Gjatë prezantimit u diskutuan programe studimi, mundësitë për pjesëmarrje në projekte, praktika profesionale dhe jeta studentore, duke i dhënë maturantëve një ide më të qartë mbi rrugët e tyre akademike dhe profesionale.
Në përmbyllje të aktivitetit, Dekania e Fakultetit Prof.As.Dr. Elidiana Bashi mbajti një fjalë përshëndetëse, duke inkurajuar maturantët për avantazhet e arsimimit në Fakultetin Ekonomik dhe zgjedhjet e mirëmenduara për të ardhmen e tyre. Aktiviteti u finalizua me një performancë muzikore nga studentja Sevina Kurti, e cila solli një atmosferë të ngrohtë dhe festive.
Pas përfundimit të takimit, maturantët e interesuar u shoqëruan nga pedagogë dhe studentë të fakultetit për të vizituar godinën universitare. Gjatë kësaj vizite, ata patën mundësinë të njihen më nga afër me ambientet, sallat e leksioneve dhe hapësirat e tjera studentore. Ky tur informues ndihmoi maturantët të krijojnë një perceptim më konkret mbi jetën studentore dhe infrastrukturën që do të kenë në dispozicion gjatë studimeve të tyre.