Pas takimeve me kategoritë “asistent lektor” dhe “lektor”, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (UNISHK) u zhvillua një takim i rëndësishëm mes Rektorit dhe kategorisë “profesor”, ku u theksua nevoja për avancim akademik dhe përmirësim të cilësisë së kërkimeve shkencore.
Rektori Tonin Gjuraj dhe ekipi drejtues nënvizuan rëndësinë e përgatitjes së dosjeve personale për pedagogët si një hap kyç në zhvillimin profesional.
Objektivat afatgjata përfshijnë fuqizimin e kërkimit shkencor, rritjen e cilësisë së botimeve dhe shtimin e numrit të pedagogëve me gradën Prof. Dr., me qëllim që UNISHK të arrijë kriteret për dhënien e titujve akademikë.
Takimi u karakterizua nga pjesëmarrje e gjerë dhe interes i lartë, duke shënuar një hap të rëndësishëm për përmirësimin e standardeve akademike në universitet.