• Ankesa

Takim me kategorinë “lektorë” në UNISHK Një Hap i Ri drejt Avancimit Akademik

Takim me kategorinë “lektorë” në UNISHK: Një Hap i Ri drejt Avancimit Akademik

Në ambientet e Universitetit të Shkodrës, "Luigj Gurakuqi" (UNISHK), u zhvillua një takim i rëndësishëm mes lektorëve dhe drejtuesve të universitetit, ku u theksua rëndësia e avancimit akademik për rritjen e reputacionit të institucionit. Rektori Gjuraj, së bashku me zv/rektoren Dragusha dhe ekipin drejtues administrativ, u ndalën veçanërisht te nevoja për një zhvillim të qëndrueshëm akademik, duke nënvizuar se avancimi gradual është thelbësor për secilin pedagog.

Gjatë takimit, u theksua rëndësia e përgatitjes së dosjeve personale për çdo pedagog, si pjesë e një kërkese të rëndësishme institucionale. Detyrimi vjetor i orëve te punes për çdo pedagog kërkon, përveç angazhimit në orët mësimore, një përkushtim të veçantë ndaj kërkimeve shkencore, botimeve dhe kontributit në jetën universitare. Kjo konsiderohet si një detyrim institucional që duhet të jetë i ndarë në mënyrë të barabartë mes pedagogëve.

Një nga problematikat e diskutuara ishte çështja e rimbursimeve për stafin akademik, e cila do të zgjidhet pas publikimit te raportit përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Megjithatë, pritet hartimi i një rregulloreje të re për procedurat e rimbursimeve, e cila do të trajtojë dhe zgjidhë këto çështje.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte krijimi i Zyrës së Ekselencës, që ka për qëllim të mbështesë pedagogët në kërkimet shkencore dhe projektet e tyre. U theksua gjithashtu rëndësia e instalimit të sistemit anti-plagjiaturë, që tashmë është parashikuar në buxhetin e universitetit, për të forcuar cilësinë dhe integritetin akademik, si dhe rëndësia e indeksimit të revistave.

Në takim iu dha prioritet transparencës së projekteve të financuara nga UNISHK, përfshirë shpalljen e thirrjeve, përzgjedhjen sipas kritereve të caktuara, si dhe vlerësimin e kontributit shkencor të pedagogëve përmes botimeve dhe konferencave.

Takimi u karakterizua nga një interes i madh dhe pjesëmarrje e gjerë e stafit akademik, duke shënuar një moment të rëndësishëm për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve akademike në universitet.