• Ankesa

Takim letrar me shkrimtarin Ridvan Dibra në gjimnazin “Sherif Hoxha” të Koplikut

Në kuadër të projektit promovues “Vepra letrare e Ridvan Dibrës në avangardë të letërsisë shqipe”, më datë 14 maj 2025, në gjimnazin “Sherif Hoxha” të qytetit të Koplikut u zhvillua një takim letrar me pjesëmarrjen e shkrimtarit të njohur Ridvan Dibra.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe pedagogët dhe studiuesit e letërsisë: Arben Prendi, Gëzim Puka dhe Ismet Kallaba, të cilët ndanë me të pranishmit mendime mbi ndikimin dhe rolin e veprës së Dibrës në zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Takimi u prit me interes të veçantë nga maturantët e shkollës, të cilët u angazhuan me pyetje dhe diskutime mbi temat dhe stilin letrar të autorit. Nxënësit Jola Delaj, Renisa Peraj, Xhemil Mehmetaj, Erisa Kuka, Orgesa Hepaj, Eridona Zekaj dhe Argent Delaj u dalluan për ndjeshmërinë dhe njohuritë e tyre të thella letrare, duke krijuar një atmosferë të gjallë dhe reflektuese.

Drejtori i shkollës, z. Kujtim Lamthi, shprehu mirënjohjen e tij për organizimin e këtij aktiviteti me vlera edukative dhe kulturore. Ndërsa mësueset e gjuhës shqipe dhe letërsisë, znj. Esmerina Hebaj dhe znj. Merita Curri, vlerësuan lart veprën e shkrimtarit Ridvan Dibra dhe ndikimin që ajo ka në zhvillimin e mendimit estetik dhe krijues të nxënësve.

Në fjalën e tyre, pedagogët Prendi, Puka dhe Kallaba theksuan rëndësinë që ka pranë lexuesve dhe veçanërisht të rinjve, prania e mësuesve të gjuhës shqipe, specialistëve të komunikimit dhe gazetarëve të rinj – profesionistë që formohen në programet bachelor të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Në përmbyllje, shkrimtari Ridvan Dibra, duke ndarë përvojën e tij si arsimtar dhe pedagog i letërsisë, ftoi maturantët me prirje letrare dhe pasion për gazetari të zgjedhin studimet në programet përkatëse që ofron Universiteti i Shkodrës, duke i inkurajuar të bëhen pjesë aktive e botës së fjalës së shkruar dhe mendimit kritik.