Në kuadrin e “Muajit të letërsisë” në sallën “Vehbi Bala” të Bibliotekës Shkencore Universitare u zhvillua më datë 15.11.2023 takim letrar me shkrimtaren Eralda Baze, në qendër të të cilit ishte prezantimi i romanit të saj të dytë “Zambaku i kanionit” (2023) dhe bashkëbisedimi me studentë të degëve Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari-Komunikim. Ky aktivitet erdhi në vijim të aktiviteteve letrare e kulturore për vitin akademik 2023-2024 dhe si një bashkëpunim i Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, Bibliotekës Universitare dhe botuesit Schnell.
Pas romanit “Dielli më perëndon në Lindje” (2022) me të cilin autorja Eralda Baze u afirmua si romanciere e përkushtuar ndaj aktualitetit, ajo erdhi në këtë takim në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” me romanin e dytë “Zambaku i kanionit” (2023).
Romani është përcjellë me interes nga lexuesit dhe studiuesit e romanit bashkëkohor shqiptar. Autorja e çon më tej rrëfimin shumëdimensional mbi problematikat aktuale të tranzicionit politik dhe shoqëror, duke u bërë një nga autoret që me kurajo nuk heziton të shpalosë para lexuesit skena nga përpjekjet e përditshme, veçanërisht e femrave shqiptare, për të mbijetuar në një realitet të molepsur dhe të degraduar, si rezultat i një politike të dështuar për të ndërtuar një të tashme dhe një të ardhme më të mirë për shoqërinë shqiptare. Romani deri tani është përcjellë me vlerësime, shkrime, analiza nga studiues, si: E. Rusi, M. Simoni, E.Kaçeli, A. Prendi, E. Alija, E. Ymeraj etj.
Takimi u moderua nga drejtori i departamentit të Letërsisë prof.as.dr Arben Prendi. Për vlerat artistike, përmbajtësore dhe tematike, referuan dr. Ermira Alija, dr. Ermira Ymeraj dhe prof.as.dr. Arben Prendi. Gjatë takimit diskutuan dhe lexuan pjesë nga romani: Denisa Hysaj, studente e Masterit profesional në Gjuhë-letërsi, Xhuljana Guri, studente e Baçelorit në Gjuhë-letërsi dhe poetja Arjola Zadrima, njëkohësisht studente e Baçelorit në Gazetari dhe komunikim.
Ndër të tjera, në bashkëbisedimin me pedagogë, studentë dhe maturantë të shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës, autorja Eralda Baze shprehu kënaqësinë e saj që gjendej në këtë takim në Fakultetin e Shkencave Shoqërore. Në shenjë vlerësimi për krijimtarinë e saj Dr. Ermira Alija, zëvendës dekane, i dorëzoi autores një “Certifikatë vlerësimi”, të cilën autorja u shpreh se do ta përdorte edhe si një mundësi për t’u këshilluar maturantëve dhe ndjekësve të saj në rrjetet sociale, që të zgjedhin të studiojnë në programet e studimit që ofron ky fakultet dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. ë përfundim të aktivitetit dhuroi disa kopje të romanit për Bibliotekën Shkencore dhe për studentët, të cilët patën rastin për foto dhe autografe. Aktiviteti u përmbyll me një koktej të ofruar për pjesëmarrësit, nga botuesi “Schnell”