Sot, në hollin e Rektoratit, nën drejtimin e Zv. Rektores për Kërkimin Shkencor, Prof. Dr. Blerta Dragusha, u zhvillua një takim i hapur për programet e reja doktorale që Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka fituar si partner i rregullt në nivel ndërkombëtar.
Me dy programe të përbashkëta doktorale, të akredituara nga AQ Austria (2025–2031), UNISHK hap dyer të reja drejt ekselencës akademike dhe kërkimore:
International Joint Cross-Border PhD in International Economic Relations & Management – ekonomia ndërkombëtare, menaxhim & zhvillim rajonal.
International Cooperative Cross-Border PhD in Educational & Communication Sciences – edukim, komunikim, inovacion pedagogjik & transformim digjital. https://doctorate-ps.eu/
Ky bashkëpunim vendos Shkodrën në hartën e qendrave europiane të studimeve doktorale dhe ofron mundësi unike për integrim në rrjete kërkimore ndërkombëtare.
Pedagogë, kërkues të rinj dhe studentë të diplomuar ndoqën me interes këtë takim, ku u prezantuan strukturat e studimeve, partnerët ndërkombëtarë dhe procedurat e pranimit.
UNISHK fton pedagogë, kërkues të rinj, studentë të diplomuar dhe profesionistë të shfrytëzojnë këtë mundësi për karrierë akademike dhe kërkim shkencor me standarde ndërkombëtare.
