• Ankesa

Takim Frymëzues me Shkrimtarin Mustafa Tukaj!

Në kuadër të lëndës “Letërsi për fëmijë dhe të rinj”, studentët patën mundësinë të takojnë nga afër shkrimtarin dhe dramaturgun Mustafa Tukaj, një nga emrat më të njohur të letërsisë për të rinjtë në Shqipëri. Ky takim, i moderuar nga padagogia Elinda Dibra, u zhvillua si një hapësirë dialogu frytdhënës, ku Tukaj ndau përvojën e tij mbi procesin krijues dhe sfidat e shkrimit për adoleshentët.

Gjatë bashkëbisedimit, ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të personazheve autentike që pasqyrojnë realitetin, ëndrrat dhe pasiguritë e të rinjve. Ai foli për ndikimin e letërsisë në zhvillimin e identitetit të tyre dhe mënyrat sesi një shkrimtar mund të krijojë lidhje të forta mes lexuesve dhe veprës së tij. Tukaj ndau gjithashtu metodat e tij për të ndihmuar të rinjtë të shprehin emocionet dhe mendimet përmes shkrimit, duke i inkurajuar ata të zhvillojnë një zë të tyre krijues.

Takimi ishte një mundësi e vyer për studentët të njihnin nga afër botën e letërsisë për të rinjtë dhe të mësonin sesi shkrimi mund të ndihmojë adoleshentët të përballen me sfidat dhe dilemat e moshës së tyre.