• Ankesa

Studentët e Masterit në Mësuesi Gjuhë-Letërsi në Praktikë Pedagogjike në Lezhë

Një grup studentësh të vitit të parë të ciklit të studimeve Master Profesional në Mësuesi Gjuhë-Letërsi, nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore, zhvilluan një ditë praktike pedagogjike pasive në shkollën 9-vjeçare jopublike “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Lezhë.

Kjo shkollë, me një histori rreth njëzetvjeçare, edukon rreth 500 nxënës çdo ditë. Në të, veprojnë një grup i konsiderueshëm mësuesish të formuar ndër vite në degë të ndryshme të mësuesisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

Ky bashkëpunim shërben si një urë lidhëse mes universitetit dhe shkollave ku ish-studentët tanë zhvillojnë jetën e tyre profesionale, duke ofruar dëshmi konkrete për mësuesit e ardhshëm.

Në kuadër të kursit “Didaktikë e mësimdhënies së gjuhës shqipe”, studentët patën mundësinë të ndiqnin orë mësimi në lëndën e gjuhës shqipe. Pas vëzhgimit, u zhvillua një seancë bashkëbisedimi me mësuesit e Seksionit të gjuhës shqipe të kësaj shkolle, ku u diskutuan tema si: organizimi dhe strukturimi i orëve mësimore, roli i nxënësit në orën e mësimit, metoda bashkëkohore në procesin e të nxënit dhe detyrat e mësuesit të gjuhës shqipe.

Një pikë e veçantë ishte njohja me aktivitete praktike që tejkalojnë orën e mësimit, duke synuar zbatimin e parimit “Mësuesi i gjuhës amtare është rojtari i gjuhës”.