Studentët e diplomuar në degën Gazetari-Komunikim në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” janë sot histori suksesi në fushën e medias , veçanërisht në televizion, dhe dinjitozë në sektorin e Marrëdhënieve me Publikun në institucione shtetërore .
Redaksi informative si TCH, TV Klan, Vizion Plus, TVSH, News 24, Euronews, A2 CNN, Ora News, Syri TV, Report TV, Star Plus, TV1 Channel etj., kanë suksesin e tyre falë pasionit dhe arritjeve të të diplomuarve në Gazetari-Komunikim në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në USH.
Ky është brezi i 16-të që pritet të diplomohet këtë vit akademik. Në kuadër të lëndës “Redaktim në Media” me pedagogun Altin Mema, studentët paraqitën detyra të kursit me tekst, titull, nëntitull, audio-video dhe montazh —të gjitha punë individuale mbi tema të zgjedhura vetë.
“Studenti si gazetar” përfshiu tema të rëndësishme si:
Trashëgimia e vyer e bibliotekës së universitetit
Funksionimi i redaksisë së TV1 Channel dhe Star Plus
Braktisja e fshatit nga të rinjtë
Jeta e një murgeshe mes besimit dhe botës akademike
Familjariteti në qendrën e strehimit të moshës së tretë
Një ditë me fëmijët me aftësi ndryshe
Mungesa e tregut të bimëve medicinale në Malësinë e Madhe
Humoristi Gac Kodrina mes Teatrit Migjeni & përditshmërisë
Kjo praktikë e ndjekur nga stafi akademik i FSHSH synon që studentët, menjëherë pas diplomimit, të jenë të gatshëm për tregun mediatik, i cili ka nevojë të madhe për profesionistë të mirëfilltë.