STUDENTËT E GAZETARISË FITUAN ÇMIMIN E PARË NË FESTIVALIN E 7-TË NDËRKOMBËTAR “ON THE RECORD” NË NOVI SAD

Një grup i studentëve të programit të studimit Gazetari-Komunikim të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë fituar Çmimin e Parë në kategorinë e prodhimit televiziv në edicionin e 7-të të Festivalit Ndërkombëtar të studentëve të gazetarisë “On the Record”, që është organizuar në Novi Sad (Serbi), më 27-28 maj 2022.

Studentët Gjeni Tushani, Lazarino Pjetri, Olta Jahaj dhe Thëllënza Rama, nën drejtimin e pedagogut të tyre Ismet Kallaba, janë paraqitur në këtë festival me një film të shkurtër mbi legjendën e Rozafës. Filmi është realizuar në bashkëpunim me studentët e gazetarisë së Universitetit të Novi Sadit, nën udhëheqjen e profesoreshës Sanja Klajiq, në kuadër të projektit “Ndërtimi i urave” që zbatohet me mbështetjen e OSBE-së.

Në festival janë paraqitur mbi 40 prodhime radiofonike dhe televizive të studentëve të gazetarisë së universiteteve të Novi Sadit, Beogradit dhe Nishit (Serbi), Zagrebit (Kroaci), Sarajevës (Bosnjë e Hercegovinë) dhe Shkodrës (Shqipëri), ku në fazën finale janë përzgjedhur 16 krijimet më të mira. Vlerësimi është bërë nga juria në përbërje: Danka Derifaj (gazetare nga Kroacia), Vanja Shunjiq (gazetare, shkrimtare dhe aktiviste nga Bosnja e Hercegovina) dhe Dragan Joviqeviq (gazetar, shkrimtar, kritik dhe teoricien i filmit nga Serbia).

Gjatë vizitës studimore në Novi Sad, studentët janë takuar edhe me Zëvendësshefen e Misionit të OSBE-së në Serbi, znj. Sarah Groen, konsullen në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd, znj. Anita Shaqiri si dhe kanë vizituar kështjellën Petrovaradin e monumente të tjera kulturore-historike etj. Vizita studimore dhe pjesëmarrja në festival është mundësuar falë mbështetjes së OSBE-së dhe bashkëpunimit me departamentin e Letërsisë, pjesë e të cilit është programi i studimit Gazetari-Komunikim.