• Ankesa

Studentët e Drejtësisë në një vizitë studimore pranë Prokurorisë së Shkodrës!

Në kuadër të bashkëpunimit institucional ndërmjet Fakultetit të Drejtësisë dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, më datë 28.05.2025, studentët e vitit të dytë të këtij fakulteti zhvilluan një vizitë studimore me karakter edukativ dhe profesional.

Të shoqëruar nga pedagogia Prof. As. Dr. Paulina Guli Hoti, studentët u pritën ngrohtësisht nga Drejtuesi i Prokurorisë, Prokuror Albert Murçaj. Gjatë takimit, Prokurori Murçaj prezantoi organizimin dhe funksionimin e institucionit që ai drejton, foli për procesin e ndjekjes penale, përfaqësimin në gjyq të çështjeve, si dhe për llojet e veprave penale më të hasura në praktikë.

Po ashtu, studentët patën mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të njihen nga afër me sfidat dhe kënaqësitë e profesionit të prokurorit, duke e përjetuar më konkretisht realitetin e së drejtës penale në praktikë.

Kjo vizitë shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë dhe praktikës dhe përforcoi bindjen tonë se studentët janë gjithmonë në qendër të vëmendjes!