• Ankesa

Senati Akademik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” miraton një sërë vendimesh të rëndësishme

Në mbledhjen e sotme të Senatit Akademik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u diskutua mbi ecurinë e regjistrimeve në vitin akademik 2025–2026 dhe mbi disa çështje të rëndësishme të jetës universitare.

Rektori Gjuraj theksoi para mediave se: “Numri i përgjithshëm i studentëve në të dy ciklet e studimit në Universitetin e Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ mbetet i qëndrueshëm, duke dëshmuar se është ndalur rënia e viteve të mëparshme dhe se trendit të regjistrimeve i është rikthyer stabiliteti. Pra, premtimi për të ndalur rënien është realizuar.”

Pavarësisht kësaj, rektori bëri të ditur se vetëm programi Bachelor në Fizikë mbetet jo aktiv për këtë vit akademik.

Ndër të tjera, ai e vlerësoi këtë situatë si një tregues pozitiv, që do të pasohet me masa të reja për të nxitur rritjen e regjistrimeve në vitet në vijim.

Programet e Fakultetit Ekonomik kanë ruajtur nivelin e lartë të interesit, ndërsa programet e ciklit të parë në Infermieri dhe Edukim Fizik e Sporte kanë realizuar 100% të kuotave.

Edhe programet profesionale si “Teknik Sisteme dhe Rrjete Kompjuterike”, “Specialist i Lartë Elektrik” dhe “Udhërrëfyes Turistik dhe Menaxhues i Itinerareve Turistike” janë ndër më të kërkuarat.

Në ciklin e dytë të studimeve, Psikologjia e Shëndetit, Infermieri Klinike dhe Marketing Inovativ kanë regjistruar një numër të konsiderueshëm studentësh për vitin 2025–2026.

Ndërkohë, për vitin e ardhshëm pritet hapja e programit të ri “Bachelor në Trashëgimi Kulturore”, që do të zhvillohet në tre gjuhë: shqip, italisht dhe anglisht.

Rektori Gjuraj njoftoi gjithashtu se Universiteti do t’i nënshtrohet një reforme strukturore në kuadër të strategjisë së profilizimit, që synon përshtatjen me zhvillimet bashkëkohore dhe kërkesat e tregut të punës, duke theksuar se “kjo nuk nënkupton mbyllje programesh, por ristrukturim e modernizim të tyre”.

Në mbledhje u miratua unanimisht rregullorja e re për projektet (për herë të parë në UNISHK), lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret për administrator, si dhe përbërja e Komisionit të përhershëm të Marrëdhënieve me Studentët dhe Komisionit të Cilësisë dhe Standardeve Akademike.

Rektori falënderoi gjithashtu Bashkinë Shkodër dhe Këshillin e Qarkut për mbështetjen në restaurimin dhe rikualifikimin e ambienteve universitare dhe për projektet e përbashkëta në infrastrukturë dhe laboratorë të rinj.