Seminari me titull " Zhvillimi i praktikave profesionale pranë institucioneve pritëse"

Në vazhdën e seminareve mbi rëndësinë e praktikave profesionale në kuadër të projektit "Gjuhë të Huaja të Aplikuara për turizmin", në mjediset e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja u mbajt seminari me titull " Zhvillimi i praktikave profesionale pranë institucioneve pritëse"

Paneli i seminarit përbëhej nga Dr. Aterda Lika, anëtare e departamentit Romanistikë, Znj. Amila Gjyrezi, drejtoreshë e Muzeut Historik Shkodër si dhe Znj. Merita Zeneli, drejtoreshë e shkollës së mesme profesionale "Hamdi Bushati.

Znj. Lika u ndal në mënyrën e zhvillimit të praktikave profesionale dhe detyrimet e palëve në këtë proces duke theksuar rëndësinë që ka udhëheqësi apo kordinatori në mbarëvajtjen e praktikës profesionale.

Znj. Gjyrezi solli përvojën e saj, si drejtuese në terren e praktikave profesionale që zhvillohen në muze dhe theksoi faktin që praktikantët janë gjithmonë të mirëpritur në muze me qëllimin e mirë, që ata të bëhen profesionistë të mirëfilltë në këtë sektor, i cili ka kërkesa gjithnjë në rritje.

Znj. Zeneli bëri një panoramë të plotë mbi përvojën e praktikave profesionale në arsimin parauniversitar duke u ndalur në rëndësinë e këtyre të fundit për futjen në tregun e punësimit të këtyre nxënësve.

Seminari u ndoq nga pedagogë, studentë si dhe nxënës që ndjekin arsimin profesional, të cilët nëpërmjet pyetjeve dhe diskutimeve shprehen interes ndaj kësaj tematike interesante për realitetin aktual të punësimit.