Dje, në mjediset e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në kuadër të projektit “Gjuhë të Huaja të Aplikuara për Turizmin” u mbajt seminari i radhës me titull ” Zbatimi i praktikave profesionale”. Pjesëmarrës në aktivitet ishin specialistë të fushës si dhe nxënës e studentë të FGJH.
Ndër pjesëmarrësit në seminar Prof. Tatiana Musinova e Universitetit të Haute Alsace solli përvojen e këtij universiteti në bashkëpunimin midis universitetit dhe ndërmarrjeve për mirëmenaxhimin e praktikave profesionale si dhe drejtimin e studentëve drejt punësimit sipas fushave përkatëse.
Znj. Rozafa Zmijani, si drejtoreshë e Zyrës se Punës, Shkodër referoi mbi realizimin e praktikave profesionale nga Zyrat e Punës, të cilat kanë funksionin e drejtimit të të rinjve drejt tregut të punës, duke dhënë konsulencë në zhvillimin e praktikave sipas drejtimeve të caktuara, si dhe njohjen e rrjetit të punëdhënësve që kërkojnë të punësojnë staf. Ajo vuri theksin në tregun e turizmit, i cili kërkon gjithnjë e më shumë specialistë që kanë edhe aftësi të mira në gjuhët e huaja.
Drita Brahimi vuri theksin në rëndësinë e praktikës profesionale të studentëve që mbarojnë këtë program studimi. Synohet që studentët të zhvillojnë praktikat në tregun e turizmit pranë agjensive turistike, vendeve të ndryshme pritëse të sektorit turistik si dhe pranë muzeve. Ajo detajoi marrëdhëniet midis studentit praktikant, institucioneve pritëse si dhe tutorit të praktikës.
Studentët treguan interes duke i drejtuar pyetje relatorëve, meqenëse është një tematikë që i përfshin në mënyrë të drejtpërdrejtë.