Shkëmbim përvojash dhe idesh
Më datë 1 Qershor 2022, Departamenti Psikologji – Punë Sociale, në kuadër të lëndës “Psikologji Sociale”, zhvilloi një leksion të hapur me temë: “Roli dhe rëndësia e psikologut në trajtimin psikologjik të sjelljeve devijante të individëve në konflikt me ligjin”.
Të ftuar në kët aktivitet ishin: Drejtoresha e Zyrës Vendore e Shërbimit të Provës Shkodër, Znj. Frida Dashi, Koordinatorja e Urdhrit të Psikologut të Qarkut Shkodër, Znj. Migena (Haxhi) Burrja; njëkohësisht edhe pedagoge e jashtme pranë këtij departamenti, stafi i profesioratit të këtyre dy departamenteve, si dhe studentë të programeve bachelor.
Fjalën përshëndetëse në këtë aktivitet, e mbajti Drejtori i Departamentit Psikologji – Punë Sociale, Dr. Visar Dizdari, i cili i uroi mirëseardhjen të ftuarve si dhe vlerësoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve ndërgjegjësuese e sensibilizuese. Veprimtaria shkencore e këtij aktiviteti u monitorua nga pedagogia Dr. Elona Hasmujaj.
Referimi i të ftuarëve u shoqërua me shkëmbimin e ideve mes pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës. Përmes pyetjeve dhe diskutimeve të drejtpërdrejta, u shpjegua qartë se cilat janë detyrat e psikologut dhe punonjësve të tjerë në institucionet e dënimeve alternative. Vëmendja u ndal dhe në rolin e psikologut ligjor në vlerësimin dhe trajtimin e sjelljeve devijante, si dhe rendësinë e Urdhrit të Psikologut në sistemimin e kompetencave të psikologëve.
Në përfundim të këtij leksioni të hapur, u trajtuan disa raste në lidhje me të rinjtë në konflikt me ligjin, ku të ftuarit dhe pjesëmarrësit shkëmbyen përvojat e tyre profesionale, si dhe shprehen interesin për organizimin e aktiviteteve të tjera shkencore të ngjashme.