UNISHK ka prezantuar një risi në agjendën e tij akademike, duke organizuar takime të strukturuara me pedagogët në bazë të kategorive të tyre. Rektori Gjuraj, zv/rektorja Dragusha së bashku me ekipin administrativ, paraqitën mundësi dhe oferta për asistentë-lektorët, duke i inkurajuar ata të ndajnë nevojat dhe sfidat që hasin në përparimin e tyre drejt gradës shkencore "Doktor i Shkencave" .
Rektori Gjuraj theksoi rëndësinë e rritjes së numrit të personelit akademik me tituj shkencorë, duke nënvizuar se kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e performancës së institucionit. Gjithashtu, u nënvizua se rimbursimi i konferencave dhe artikujve shkencorë nga ana e UNISHK është një mbështetje e madhe për rritjen e nivelit akademik dhe shkencor të pedagogëve .
Gjatë diskutimeve, pedagogët ngritën shqetësime për vështirësitë në aksesin e literaturës bashkëkohore dhe sfidat ligjore që prekin pedagogët e Departamentit të Arteve për marrjen e titujve shkencorë. Në përgjigje, u bë e ditur se UNISHK ka ndërmarrë hapa për të siguruar abonime në platforma dhe revista online, të cilat do të jenë të aksesueshme për pedagogët, duke lehtësuar qasjen në burime të rëndësishme shkencore dhe artistike. Një takim i dedikuar me pedagogët e arteve është planifikuar për të diskutuar më konkretisht sugjerimet e tyre .