Pas gati dy dekadash mungesë, Seminari Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj” rikthehet në qytetin e Shkodrës. Ky forum i rëndësishëm shkencor, i organizuar nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, shërben si një platformë kyçe për studimin dhe promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të Shkodrës dhe Veriut të Shqipërisë.
Edicioni i shtatë i këtij seminari përfshin rreth 80 kumtesa, të ndara në 12 seanca paralele, të cilat trajtojnë tema të rëndësishme mbi vlerat historike dhe identitetin kulturor të Shkodrës. Në seminar marrin pjesë studiues dhe akademikë nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe vende të tjera, duke ofruar një analizë të thelluar ndërdisiplinore mbi zhvillimet historike të rajonit, nga antikiteti deri në kohët moderne.
Motoja e këtij edicioni, “Shkodra në shekuj: Trashëgimi e gjallë dhe fuqi krijuese në historinë kombëtare”, reflekton një vizion për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale dhe jomateriale për brezat e ardhshëm. Një tjetër qëllim i këtij aktiviteti është të nxisë zhvillimin e turizmit kulturor dhe të krijojë strategji për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në rajon.
Në fjalën e hapjes, Rektori Tonin Gjuraj, ndër të tjera, u shpreh:
“A duhet të vazhdojmë ta quajmë Shkodrën ‘E Bukura e Ballkanit,’ siç e përshkroi Edith Durham, apo duhet të gjejmë një mënyrë të re për ta integruar këtë epitet të së shkuarës me realitetin e sotëm të inteligjencës artificiale dhe zhvillimeve të menduara mirë ekonomikisht?”
Kjo pyetje ftoi pjesëmarrësit të reflektojnë mbi sfidat dhe mundësitë për të ruajtur autenticitetin e Shkodrës, duke e pozicionuar qytetin si një qendër aktive dhe moderne në arenën ndërkombëtare. Seminari përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të trashëgimisë me modernitetin, duke i dhënë Shkodrës një vend të denjë si një nga qendrat më të rëndësishme historike dhe kulturore të Shqipërisë.