"Rëndësia e informimit profesional mediatik gjatë krizave natyrore dhe shëndetësore", organizuar nga Departamenti i Letërsisë (sektori i Gazetarisë dhe Komunikimit) me mbështetjen e prof.asoc.dr Valbona Karakaçi dhe prof.asoc.dr. Arben Prendi, ishte sot aktiviteti i zhvilluar, në sallën "Vehbi Bala" të Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi". Lektoriumi me temë: "Rëndësia e informimit profesional mediatik gjatë krizave natyrore dhe shëndetësore", u referua nga gazetaret e ftuara Elja Zotka, gazetare në TV Klan e cila ka mbuluar çështjet sociale për disa vite, aktualisht mbulon zhvillimet politike.
Alma Demiraj, gazetare në TV Top Channel. Znj Demiraj ka punuar më parë në media të tjera audiovizive dhe ka mbuluar ngjarje të aktualitetit social,shëndetësisë dhe arsimit.
Ornela Joti gazetare aktualisht në televizioni A2Cnn. Në këto 20 vite znj. Joti ka punuar në televizione si Vizion Plus e Tv Koha, Shijak Tv duke mbuluar gjithmonë ngjarje të aktualitetit social, shëndetësisë dhe arsimit.
Pjesëmarrësit studentë të degës Gazetari dhe Komunikim
(Viti I-III), studentë të ftuar nga degë të tjera me interes për temën dhe gazetarë të medias vendore
ndoqën me interes trajtesat e gazetareve.
Duke patur parasysh që në 3 vitet e fundit Shqipëria është goditur nga disa kriza: e para e shkaktuar nga tërmetet, e dyta nga pandemia e Covid 19 dhe çdo stinë nga zjarret masive apo përmbytjet, një rol të pazëvendësueshëm luan dhe media për menaxhimin e këtyre krizave. Informimi i bazuar mbi shpejtësinë dhe jo vërtetësinë, shkaktojnë panik. Ndaj, aftësimi i studentëve të gazetarisë e komunikimit, që janë e ardhmja e gazetarisë është i rëndësishme për informimin e drejtë dhe profesional të publikut.
Çdo ditë dhe më tepër media në mënyrë të veçantë ajo online po i ikën misionit të saj të vërtetë, informimit të drejtë, të saktë dhe të paanshëm. Në mënyrë të veçantë portalet priren të publikojnë lajme të pakonfirmuara me tituj që tërheqin vëmendje por që nuk kanë asnjë lidhje me brendinë e lajmit, duke rendur drejt mënyra joprofesionale për të tërhequr audiencën e tyre me klikime që ju sjellin përfitime financiare por që dëmtojnë imazhin e medias dhe gazetarisë profesionale.
Aktiviteti pati si qëllim edukativ, diskutimin mes studentëve dhe gazetareve profesioniste e me eksperiencë të gjatë, në lidhjen e njohurive teorike me ato praktike, duke e afruar universitetin me tregun e punës (vlerat dhe qasjet që u nevojiten studentëve në të ardhmen).